Roland Luçi është gati që t’i bashkohet Vllaznisë. Ish-futbollisti i shkodranëve mirëpret çdo vendim të drejtuesve për t’iu bashkuar klubit, megjithatë ai saktëson se nuk mund të pranojë as rolin e trajnerit dhe as atë të një drejtuesi teknik.
Në një prononcim të dhënë nga Austria per “Panorama Sport”, atje ku jeton prej vitesh, Luçi është shprehur se ka pasur kontakte me drejtues të lartë të klubit kuqeblu për këtë çështje.
Ai shfaq gatishmërinë për t’i dhënë një “dorë” klubit që ra nga kategoria, por aty ku skuadra ka më shumë nevojë. Dhe, sipas tij, ngërçi madhor është pikërisht menaxhimi.
“Në rolin e trajnerit të Vllaznisë apo si drejtuesit sportiv nuk do pranoja që të vija. Unë mendoj se në Shkodër ka mjaftueshëm trajnerë të aftë që mund të bëjnë mirë në këtë post.
Unë mund të sillja kontributin tim pranë këtij ekipi në aspektin e menaxhimit të tij. Me këtë nuk dua të them që kërkoj të jem administrator apo në një pozicion tjetër, thjesht dua që të saktësoj se mund të jap kontributin tim për këtë skuadër.
Këtë ua kam thënë edhe drejtuesve, me të cilët kam biseduar. Mendoj se në këtë drejtim mund të jap më shumë për Vllazninë”, u shpreh fillimisht ish-trajneri, që thekson se ua ka bërë të qartë krerëve të klubit se nuk mund të jetë pjesë e stolit të shkodranëve.