Ish-futbollisti i njohur i Vllaznisë, Roland Luçi, në një lidhje direkte me “Rubrika Sportive” në Radio Tirana, ka analizuar kuqeblutë dhe Kategorinë Superiore në përgjithësi.

Ish-sulmuesi shkodran ka theksuar se diferencat mes skuadrave pjesëmarrëse në Kategorinë Superiore nuk janë dhe aq të mëdha. Ndërkohë, për diferencën e kuqebluve me skuadrat e tjera, Luçi u shpreh se nuk ka siguri se një skuadër tjetër nuk do të bëjë të njëjtën gjë në pjesën e mbetur të sezonit.

A e prisje këtë ecuri të kuqebluve, kryesimin e tyre, deri tani të merituar?

“Në fakt nuk e prisja një ecuri të tillë. Në fakt, për mospritshmërinë time, kam bërë dhe një llojë autokritike. Me aq sa u pa në fillim mua mu krijua përshtypja se edhe këtë vit Vllaznia nuk do të funksiononte. Por ecuria sportive e deritanishme hedh poshtë ato mendimet e fillimsezonit, prandaj unë kam bërë dhe autokritikë”.


Ndjekësit e Vllaznisë, Partizani, Laçi dhe Teuta, diferenca mes tyre: është pak apo shumë. Kjo diferencë mos është presion për kuqeblutë?

“Diferenca është e konsiderueshme, gjashtë pikë nuk janë pak. Por kampionati është i gjatë, ka akoma shumë ndeshje për tu zhvilluar. Ashtu siç Vllaznia ka ndjekur këtë ecuri, mund të ndodhë e kundërta në pjesën e mbetur, që një ekip tjetër të bëjë të njëjtën gjë. Me pak fjalë nuk është garanci që Vllaznia ka fituar kampionatin. Është një siguri që e vendos në pozita punë, por në të njëjtën kohë e bën dhe objekt goditjesh nga skuadrat e tjera”.

Fundi i tabelës sjell disa emra që japin alarmin për rënie, por duke lënë mënjanë tre të fundit: Apoloninë, Bylisin dhe Skënderbeun, kë shikon tjetër më të rrezikuar?

“I kam ndjekur këto skuadra, jo në të gjitha ndeshjet, por i kam ndjekur, sidomos kur janë përballur me Vllazninë. Nuk mendoj se ka ndonjë diferencë të madhe në lojë mes skuadrave të kreut dhe atyre që ndodhen në fundin e tabelës. Diferenca është e vogël, por kampionati është i gjatë dhe kjo diferencë e vogël bën që të krijohet ky distancim në pikë mes skuadrave”.