Ish-sulmuesi i viteve ‘80-‘90 dhe njëkohësisht ish-trajneri i Vllaznisë, Roland Luçi, i ka sjellë fat skuadrës kuqeblu të mërkurën, teksa kishte mbërritur nga Austria për të ndjekur ndeshjen ndaj Laçit.
Përveç titullit “Mjeshtër i Madh”, që mori nga presidenti i Republikës, Ilir Meta, bashkë me Hysen Dedjen dhe Luan Vukatanën, ai është nderuar edhe nga klubi i Vllaznisë para takimit me Laçin.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Luçi flet për ecurinë e skuadrës këtë sezon, ndërsa mendon që shkodranët kanë dy duar për të mbajtur në to dy trofetë, pasi një gjë të tillë e kanë bërë edhe më parë. Pikërisht në vitin 1972, kuqeblutë kanë fituar kampionatin dhe Kupën, teksa skuadra kishte në fushë emra të mëdhenj si Ragami, Bizi etj.
Zoti Luçi, riktheheni në Shkodër për një vlerësim që ju bëri presidenti Ilir Meta, duke ju dhënë titullin “Mjeshtër i Madh”. Si ndiheni?
Ndihem shumë i vlerësuar pas titullit nga presidenti. Gjithashtu, jam i kënaqur me pritjen që më bëri klubi, bashkia, kryebashkiakja Ademi dhe nga gjithë opinioni në këtë vlerësim që iu bë figurës sime.
Në ditën e vlerësimit tuaj, Vllaznia u kualifikua në finale. Ju e ndoqët këtë takim nga stadiumi. Çfarë ju bëri përshtypje?
Ishte një luftë e vërtetë në fushë, me shumë emocione. Nuk shikuam ndonjë futboll spektakolar, por në fund Vllaznia arriti të kualifikohej. Për ekipin e Laçit kam pasur përshtypje që ka më tepër cilësi sesa shikova këtë herë në fushë. Ndërsa Vllaznia, nga rastet e krijuara dhe zhvillimi i lojës, mendoj se e dominoi plotësisht, duke merituar kalimin për në finale. Shpreso që të jetë fituese dhe të marr pjesë në Kupat e Europës.
Në përgjithësi, për ekipin e këtij sezoni cili është mendimi juaj?
Nuk mund të them, dhe këtu dua të jem i sinqertë, që Vllaznia është ai ekipi që bën diferencën. Por, në kuadrin e kampionatit shqiptar, unë nuk kam parë ekip më të mirë sesa Vllaznia. Domethënë, në këtë kuptim, si në Kupë dhe kampionat, gjithçka mund të ndodhë, por në këtë ndeshje me Laçin, Vllaznia ishte fituese e merituar.
Një Vllazni finaliste e Kupës së Shqipërisë dhe afër kreut në kampionat. Mendoni se mund të arrijë që t’i marrë të dy trofetë?
Thonë që dy kunguj në një dorë nuk mbahen, por Vllaznia ka dy krahë dhe, pse jo, nuk do të ishte keq, në një njërin krah Kupën dhe në tjetrin kampionatin. Dhe, nuk është hera e parë që Vllaznia i ka fituar të dy trofetë, kështu që uroj të ndodhë edhe këtë vit.
Larg Shkodrës dhe Shqipërisë, sa ju mungon kjo atmosferë?
Jo, nuk më mungon Vllaznia në atë kuptimin që jam larg, sepse interneti, mediat më bëjnë që të jem pranë. Domethënë që nuk është se jam larg Vllaznisë dhe zhvillimit të ngjarjeve të Shkodrës e klubit.
Afro një dekadë më parë keni drejtuar këtë Vllazni. Keni ndonjë projekt për t’iu rikthyer trajningut shqiptar?
Jo, në atë drejtim jo, absolutisht, por gjithsesi mund të them se ndihem mjaft mirë që gjithmonë të jem afër dhe pjesë e Vllaznisë dhe për këtë jam këtu. Në fakt, kur erdha, isha pak në siklet se mos ndodhte ndonjë avari, sepse do të shikohej si ogur jo i mirë ardhja e ime, por rezultoi pozitivisht dhe për këtë jam edhe më i gëzuar.
Cili është mesazhi juaj për klubin dhe tifozët shkodranë?
Për tifozët mendoj se duhet të jenë pak më të qetë, për të ndikuar në ndihmën dhe mbështetjen e ekipit të tyre, sepse unë pashë disa reagime në tribunë, që edhe mund të mos jenë të tilla. Por, duke parë edhe gjestet e lojtarëve të Laçit, për të cilët unë nuk kam asnjë lloj mirëkuptimi, dhe për këtë kuptoj edhe reagimin e tifozëve shkodranë. Por, duhet të jenë pak më racionalë në mbështetjen e ekipit tonë.