Prej dy ditësh nuk mungojnë komentet në lidhje me shortin e eliminatoreve të Europianit të ardhshëm. Specialistët dhe gazetarët janë ndarë në dy kampe: Njëri që mendon se Shqipëria ka shumë pak shanse për të shkuar për të dytën herë në Europian dhe tjetri, që mendon se duhet të synojmë të kapim vendin e dytë ngaqë Franca konsiderohet “e paprekshme” në të parin.

Por ka edhe të tjerë që mendojnë ndryshe. Njëri prej tyre është ish- lojtari i kombëtares shqiptare Roland Luçi, i cili shprehet se Shqipëria, por edhe Turqia e Islanda duhet të luftojnë edhe për vendin e parë sepse Franca nuk është aq e fortë sa duket sepse në këto vitet e fundit ka shfaqur jo pak oshilacione. Shkodrani i mirënjohur e ka bërë këtë deklaratë drejtëpërdrejtë nga Austria ku jeton, në emisionin “Sport Show” në TV1 Channel mbrëmjen e së hënës kur është shprehur:

“Unë e shoh me pozitivitet gjendjen e kombëtares tonë në raport me shortin e Europianit të ardhshëm. Mbas kualifikimit të famshëm në Francë, trajneri i atëhershëm u largua nga drejtimi i kombëtares për mossukses.Të mos harrojmë se në atë periudhë, i gjithë kontigjenti i mundshëm i lojtarëve shqiptarë në botë ishte në dispozicion të De Biazit, ndërsa me kalimin më vehte të Kosovës, kuptohet që kontigjenti është zvogëluar dhe përpos kësaj edhe pretendimet tona.

Prandaj dhe problemet që ka shfaqur kombëtarja jonë së fundmi, kanë qenë të pritshme. E rëndësishme është krijimi dhe forcimi i grupit aktual. Historia e futbollit ka treguar se kur ke një grup solid dhe jo më emra të mëdhenj, mund t’i krijosh probleme çdo ekipi të madh.

Kemi parë Italinë e vitit 1982, Poloninë e vitit 1974 që kanë arritur në majat e futbollit botëror. Në këtë kuptim, Panuçi sot përqendrohet tek ato lojtarë që kanë më shumë përvojë sepse tashmë nuk ka më as kohë shumë në dispozicion sepse në mars nisin ndeshjet e para eliminatore.

Kundërshtarët tanë nuk janë aq të famshëm, kam fjalën këtu edhe për Francën. Ajo ka dështuar disa herë në rrugëtimin e saj. Vetëm në 20 vitet e fundit, ka dështuar katër herë. Prandaj, nuk duhet të nisemi nga ajo se vendi i parë është i padiskutueshëm për të dhe hajde të luftojmë të gjithë për vendin e dytë. Këtu e kam fjalën jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Turqinë dhe Islandën.

Islanda mendoj se e ka arritur kulmin e saj, pavarësisht se mund të ketë aq e kaq fusha futbolli. Kontigjenti futbollistik islandez është shumë i kufizuar dhe nuk mund të flitet për një vazhdimësi në nivelet më të larta të futbollit, prandaj pas atij kulmi që pati në Francë, besoj se do t’i duhet të kalojë një periudhë relativisht të gjatë për t’u rikthyer edhe njëherë në nivele të larta ku ishte pak kohë më parë. Për të gjithë këto që thashë, jam i mendimit se Islanda mund të kalohet me sukses.

Sa i takon Turqisë, mosstabiliteti i saj tradicional e bën atë një kundërshtar interesant për kombëtaren tonë. Flas për kombëtaren tonë, në qoftë se ajo do të arrijë të stabilizohet dhe të jetë një ekip kompakt, pa emra të famshëm sepse nuk ka nevojë të ketë emra të famshëm, por ka nevojë për një trajner që të arrijë të harmonizojë të gjithë repartet dhe të krijojë një ekip kompakt”-eshte shprehur Luçi.

© shkodrasport.com