Roma është në kërkim të një sulmuesi anësor dhe në listën e dëshirave janë dhe dy futbollistë shqiptarë. Në mediat italiane po flitet shumë për një shkëmbim të Cengiz Under dhe Suso, por ende nuk ka asgjë konkrete.
Një nga lojtarët që drejtuesit romak po ndjekin është Adnan Januzaj. Shqiptari që luan për kombëtaren belge nuk po kalon një periudhë të mirë tek Real Sociedad. Aventura në La Liga nuk ka shkuar siç pritej për të dhe Januzaj po mendon largimin.
Emri tjetër është ai i Xherdan Shaqirit. Anësori i Liverpool është aktivizuar shumë pak minuta këtë sezon nga Jurgen Klopp dhe po e mendon largimin nga Premier League.
Gjithashtu, Roma po ndjek me kujdes situatën e 18-vjeçarit brazilian, Marcos Paulo, i cili është në pronësi të Fluminense. I riu kërkohet dhe nga klube të tjera europiane si Barcelona, Valencia dhe Leipzig. /abcnews/