Peshëngritësja Romela Begaj vazhdon të vuajë nga pezullimi i marrë për përdorim doping. Peshëngritësja që në shumë raste ka ngritur lart flamurin shqiptar, në një prononcim për FAN Zone në Supersport, është shprehur se nuk ka pasur përkrahje nga shteti, e edhe pse është krenare që është shqiptare, për të është një fatkeqësi të ketë lindur në një shtet të vogël.
“Më vjen shumë keq që e them, por është fatkeqësi që kam lindur në një shtet të vogël dhe pa mbrojtje. Jam krenare që jam shqiptare, por ato dieta ushqimore që jepnin është një skandal i vërtetë.
Nuk kisha asnjë përkrahje e pse janë shumë medalje që kam sjell në Shqipëri. Puna e dënimit është një çështje e thellë pasi mirë herën e parë, po e dyta?
Jam betuar në kuran dhe për flamur që jam e pastër e do të vazhdoj ta them gjithmonë. Nga shteti më kanë thënë shumë herë që do të më ndihmojnë, por asgjë nuk ka qenë e vërtetë.
Unë të them të drejtën do të vazhdoj edhe pse kam harxhuar rreth 70 mijë euro nga kursimet e mia nëpër gjyqe, ndryshe nga politikanët tanë që kanë vila e shumë pasuri. Nuk do ta mbyll karrierën dhe do të vazhdoj dhe do të ngre sërish flamurin edhe pse shteti im më la në rrugë dhe nuk më ndihmoj”, tha Begaj. /VipSport/