Drejtësia paraguaiane ka mohuar kërkesën për lirimin dhe transferimin në arrest shtëpie për dy vëllezërit Ronaldo de Asist Moreira, i njohur si Ronaldinjo dhe vëllanë e tij Roberto de Asis. Dy brazilianët janë të burgosur që nga e premtja e kaluar dhe akuzohen se kanë falsifikuar pasaportat për të udhëtuar drejt vendit amerikanojugor. Avokati i dy vëllezërve brazilianë ka thënë se vendimi për t’i arrestuar dhe për t’i mbajtur në burg është abuziv dhe aspak i drejtë, prandaj do ta apelojë këtë vendim dhe shpreson që të vendoset drejtësi.

Një nga personat e tjerë të përfshirë në këtë situatë është Vilmondes Souza, një biznesmen brazilian, i cili i njeh mjaft mirë Ronaldinjon dhe vëllanë e tij. Souza u fut në burg një ditë më parë se ylli i futbollit botëror. Bashkëshortja e biznesmenit brazilian, Paula Lira, ishte personi që e prezantoi Ronaldinjon me kompaninë që organizoi udhëtimin e ish-futbollistit në tokën uruguaiane. Ajo arriti marrëveshjen me ministrin publik të Paraguait, në rast se do të kishte probleme për Ronaldinjon dhe i kërkoi atij që autoritetet të pranonin udhëtimin e brazilianit.

Biseda në rrjetet sociale zhvillohet mes një personi të tretë, e cila quhet Daila Lopez dhe ajo kërkon kontaktet në Paraguai për pajisjen me pasaportë të falsifikuar për Ronaldinjon dhe vëllanë. Vilmondes Souza tha se Ronaldinjo do të merrte pjesë në një projekt të tijin në Paraguai, konkretisht në realizimin e një libri me titullin “Yll në jetë”. Ideja ishte që Ronaldinjo të shkonte në Paraguai për të bërë promovimin e këtij libri dhe për të pasur një event social.

Gazeta braziliane “Globo Esporte” ka zbuluar një bisedë në “Whatsapp” mes Daila Lopezit dhe Paula Lirës, e cila i dërgon disa foto të pasaportës së falsifikuar të Ronaldinjos. Ajo i thotë se mungonte vetëm pasaporta e Robertos (vëllait të tij) dhe gjithçka do të ishte gati.

Mësohet se gjurmimi i këtyre mesazheve i ka çuar autoritetet në zbulimin e këtij skandali, për të cilin sulmuesi brazilian është duke qëndruar në burg prej disa ditësh. Megjithatë, ai nuk e ka humbur buzëqeshjen dhe ka dhënë autografe për pjesën tjetër të të burgosurve që e kanë parë prej kohësh si idhull brazilianin.

MESI– Nga Brazili është publikuar lajmi se Lionel Mesi po ndihmon Ronaldinjon në këto momente të vështira dhe është gati të ofrojë 4 milionë euro për një avokat, i cili do të angazhohet për të nxjerrë nga burgu Ronaldinjon.