Trajneri i Argjentinës, Jorge Sampaoli, është i bindur se Lionel Messi duhet të vlerësohet si lojtari më i mirë në botë, përpara Cristiano Ronaldos, gjatë 10 viteve të fundit. Messi dhe Ronaldo janë dy mëtuesit e “Topit të Artë” të 2017-ës, ndërkohë që ylli i Real Madridit dhe i Portugalisë mendohet të jetë favorit për shkak të triumfit në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, për Sampaolin nuk ka asnjë dyshim se cili prej tyre është lojtari më i mirë, me Messin në krye, pavarësisht nga cilësitë e dukshme e të jashtëzakonshme të portugezit. Sampaoli tha për “Omnisport”:

“Ronaldo është një lojtar i jashtëzakonshëm, por mendoj se në 10 vitet e fundit, Messi ka qenë më i mirë në botë. Ky është mendimi im, nisur nga statistikat, sasia e golave, asistet, stili etj”.

Një kritikë, që shpesh artikulohet për Messin është fakti se ai ende duhet të fitojë një turne të madh me Argjentinën, diçka që disa besojnë se e largon atë nga debati i lojtarëve më të mëdhenj ndonjëherë. Por, Sampaoli mendon se arritjet e përgjithshme të Messit flasin vetë. Ai nuk beson se ylli i Barcelonës duhet të ketë sukses ndërkombëtar që të konsiderohet më i miri: “Unë mendoj se çdo kohë ka një futbollist, që konsiderohet më i miri: Pele, Maradona dhe Messi tani. Leo ka 10 vjet që mbizotëron në Europë, duke qenë lojtari më i mirë në botë, teksa ka shënuar më shumë se 500 gola në futbollin europian, kaq të komplikuar. Kështu që nuk duhet të ketë fituar një Kupë Bote për të qenë më i miri në botë”.

telesport.al