“Kur isha 17 vjeç kanë qenë të shumta klubet që janë interesuar për mua, duke përfshirë edhe Juventus. Por Manchester United ofronte më shumë garanci dhe ëndrra ime e fëmijërisë ishte të luaja në Premier League”. Këto kanë qenë fjalët e thëna nga Cristiano Ronaldo, i intervistuar nga Alessandro del Piero: “Edhe Real është interesuar në atë kohë, por unë kam marrë gjithmonë vendimet e duhura falë menaxheri tim Jorge Mendes”.
Super menaxheri që ka qenë gjithmonë në krah të legjendës CR7: “më ka ndihmuar gjithmonë në zgjedhjet që kam bërë. Mbaj mend se është folur shumë për bardhezinjtë dhe unë isha i lumtur për interesimin e tyre, sepse ishte një klub i jashtëzakonshëm, por më pas kam vendosur të shkoj tek United. E doja kampionatin anglez më shumë se Serinë A”.
Në lidhje me karrierën që do të ndjekë pas tërheqjes nga futbolli: “Për momentin jam i përqendruar tek ajo që po bëj, edhe pse e di shumë mirë që herët ose vonë do të vijë momenti që të tërhiqem. Tani po shijoj të tashmen, por jeta pas futbollit do të jetë shumë e bukur. Jam i sigurt. Jo për paratë, por për kënaqësinë që do të kem duke u marrë me gjëra të tjera”, ka thënë Ronaldo.
“Do të më pëlqente të bëja filma, më pas kam hotelet e mia, palestrat, bashkëpunimin me Nike… Kam filluar të mendoj për jetën pas futbollit kur kam qenë 27-28 vjeç. E shikoj veten si biznesmen”.