Menaxhimi i Cristiano Ronaldos ka qenë një sfidë për shumë nga trajnerët që ai ka pasur gjatë karrierës së tij. CR7, i cili ende sot e quan veten “lojtarin më të mirë në botë”, nuk ka qenë kurrë një futbollist “normal”. Jo vetëm për klasin, personalitetin dhe vendosmërinë e tij, por edhe për ndikimin që ka pasur në fushë dhe në dhomën e zhveshjes.
Pak trajnerë kanë arritur ta menaxhojnë pa probleme. Ndër ta, Sir Alex Ferguson ka qenë një figurë thelbësore. Ai ishte njeriu që e lançoi Ronaldon në futbollin e madh. José Mourinho ka pasur vendin e tij të veçantë në karrierën e Ronaldos, ashtu si edhe Zidane, i cili, edhe pse një yll, ka ditur të gjente ekuilibrin e duhur me portugezin. Në fund, Carlo Ancelotti, me të cilin Ronaldo ka ndarë shumë suksese dhe ka mësuar të vlerësojë jo vetëm anën teknike, por edhe atë humane.
Ronaldo nuk ka hezituar të shprehë dashamirësinë dhe respektin e tij për Carlo Ancelotti: “Më pëlqen shumë, është një njeri fantastik. Kemi fituar shumë së bashku”.
Megjithë sukseset, CR7 nuk ka nguruar të kritikojë disa trajnerë që nuk kanë mundur të qëndrojnë pas tij. Ai ka thënë: “Kam pasur disa trajnerë që ishin vërtet të këqij, njerëz që nuk kishin asnjë ide se çfarë është futbolli”.
Ndër këta, Rafa Benitez ka qenë një nga më të kritikuarit. Gjatë kohës te Real Madridi, Benitez provoi t’i jepte këshilla për përmirësimin e lojës së tij, por Ronaldo nuk e vlerësoi atë. “Ka gjëra që askush nuk mund t’i mësojë, i ke ose nuk i ke”, – ka kujtuar CR7 për atë situatë, sidomos kur Benitez tentoi të mësonte si të godiste topin ose të bënte driblime.
Raporti me Erik ten Hag te Manchester United ka qenë shumë i tensionuar. Ronaldo refuzoi madje të ulej në pankinë gjatë një ndeshjeje, pasi ishte lënë jashtë formacionit titullar, duke e konsideruar këtë një mosrespektim të tij. Ky episod shënoi fundin e lidhjes së tij me klubin anglez dhe pastaj shkoi në Arabinë Saudite.
Gjatë kohës te Juventus, Ronaldo pati gjithashtu disa përplasje me Massimiliano Allegri, sidomos pas një humbjeje në Ligën e Kampionëve ndaj Ajax-it, kur gjesti i tij i mosmiratimit tregoi pakënaqësinë për zgjedhjet taktike të Allegrit.
Maurizio Sarri, pavarësisht se kishte një vizion taktik ndryshe, provoi të implementonte një lojë më ofensive, por dhe me atë CR7 pati mosmarrëveshje. Ronaldo u ankua gjatë stërvitjeve për pjesën taktike dhe, gjatë një ndeshjeje kundër Milanit, kur u zëvendësua, e la fushën pa shkuar në dhomat e zhveshjes, një tjetër shenjë e pakënaqësisë së tij.
Cristiano Ronaldo ka pasur gjithmonë një qëndrim të vendosur ndaj trajnerëve dhe zgjedhjeve të tij, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Karriera e tij ka pasur shumë ngritje dhe rënie, por gjithmonë me të njëjtin entuziazëm dhe dëshirë për të bërë dallimin. Nëse nuk i pëlqente klubi ku luante, ishtë gati ta ndryshonte. Dhe këtë e ka treguar disa herë.