Rëndësia e të shënuarit nga Cristiano Ronaldo mund të ketë përfunduar të mërkurën, në “Allianz Arena”, por ylli portugez i Real Madridit ende arriti të vendosë një tjetër rekord të Ligës së Kampionëve.
Me triumfin e “Los Blancos”, 2-1 ndaj Bayern Munich, në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, Ronaldo ka fituar më shumë ndeshje se çdo lojtar tjetër në këtë kompeticion, më të rëndësishmin për klubet në kontinentin tonë.
Me 96, CR7 ka kaluar edhe ish-kapitenin e Real Madridit, Iker Casillas.
Marcelo dhe Marco Asensio u kujdesën për shënimin e dy golave në favor të Real Madridit mbrëmë, duke hedhur një hap të madh drejt finales, me fitoren 2-1 të ndeshjes së parë gjysmëfinale.
Skuadra e Zinedine Zidane, gjithashtu, vendosi një rekord si ekip, në këtë konkurrim, me fitoren në Mynih.
Dy herë radhazi kampionët e Europës (në fuqi) fituan ndeshjen e 150-të në Ligën e Kampionëve, duke u bërë skuadra e parë, që e arrin këtë “shenjë”.
Ronaldo dhe Real Madridi do të kërkojnë t’i shtojnë të dhënat e tyre në ndeshjen e dytë, atë të kthimit, në “Santiago Bernabeu”, të martën e ardhshme, kur t’i presin bavarezët e Jupp Heynckes në shtëpi.
Kjo ishte fitorja e 150-të e Kupës Europiane (sot, Champions) për “Los Blancos”, një garë që ata e konsiderojnë të tyren. Dhe kuptohet, thonë kështu, sepse e kanë fituar 12 herë, duke përfshirë tri nga katër edicionet e fundit.
Sezonin e kaluar, skuadra e Zidanes mundi Bayernin në çerekfinale, edhe pse kishin nevojë për më shumë kohë në “Santiago Bernabeu”, për t’u kualifikuar, pavarësisht fitores 2-1 larg, ashtu si këtë herë, në “Allianz Arena”.
Skuadra e Jupp Heynckes mendon se bëri mjaftueshëm për ta fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions-it, por shpërdoroi raste ideale për gol.
Bavarezët krijuan 17 shanse dhe shënuan një gol, ndërsa madrilenët patën 7 raste dhe shënuan dy herë.
Mesatarja prej 1.75 e Bayern Munich (raste-gola) ishte më e madhja e një ekipi, që humb një ndeshje në Ligën e Kampionëve të këtij edicioni.
“Opta” shikon shanset e krijuara dhe jep një numër golash të pritshëm për secilën palë. Bayerni e kishte këtë kuotë 2,48 të të mërkurën, ndërsa Reali vetëm 0,73. Megjithatë, ato shifra, sigurisht, nuk reflektohen nga rezultati./telesport/