Kristiano Ronaldo ka qenë protagonist në këtë pauzë të Kombëtareve teksa me Portugalinë e tij ia doli të shënonte katër gola në dy ndeshje duke prekur kuotën e 99 golave me luzitanët.
Megjithatë, sulmuesi nuk ka qenë në maksimumin e formës, kjo për shkak të një problemi fizik që nuk e ka lejuar të jetë në 100%. Kjo ka qenë edhe arsyeja e zëvendësimit në ndeshjen e fundit te Juventus, teksa futbollisti nuk e pranoi vendimin e trajnerit Sarri.
Por në një intervistë, Ronaldo ka zbuluar se edhe pse i dëmtuar ka kërkuar të ndihmojë klubin dhe Kombëtaren, pavarësisht formës. Ndërsa, shtoi se e kupton zëvendësimin. “ Në tre javët e fundit, kam luajtur pavarësisht se nuk kam qenë në maksimum.
Nuk më pëlqen të zëvendësohem, por kam luajtur pavarësisht se nuk kam qenë plotësisht i gatshëm fizikisht dhe kam provuar të ndihmoja Juventusin. E kuptoj zëvendësimin pasi nuk isha në 100%.
Edhe me Portugalinë nuk kam qenë në 100%. Në karrierën time nuk kam pasur asnjëherë dëmtime serioze, zakonisht luaj 50 deri në 60 ndeshje.
Por kam pasur disa shqetësime që më kanë ndaluar të jem në maksimum. Dikush duhej të fliste për këtë, veçanërisht trajneri ose unë. Por unë nuk flas shumë me mediat, Por jam krenar që jam sakrifikuar për klubin dhe Kombëtaren” u shpreh Ronaldo./vipsport/