Tek Vllaznia e femrave po spikat 14 vjeçarja Klaudia Borci. Por ajo nuk është e vetmja që konsiderohet një element me
shumë perspektivë në futbollin e femrave në Shqipëri.

Një tjetër emër që ka filluar të lërë gjurmë është 14 vjeçarja tjetër Rosela Vasa. Lojtarja e rritur në ekipet e
moshave të “Juban Danjes”, u federua vetëm pak ditë më parë me ekipin e parë nga ana e presidentit Ferdinand Jaku
ngaqë edhe trajneri Elis Legata shikonte shumë elementë të mirë tek kjo lojtare.

Dhe në fakt Rosela nuk i ka zhgënjyer. Në dy ndeshjet e para të kësaj faze të dytë të kampionatit, ajo u aktivizua për disa minuta si zëvendësuese në fushën e lojës, ndërkohë që në ndeshjen e tretë, atë ndaj Teutës, kjo futbolliste ka luajtur si titullare për 90 minuta në fushë.

Paraqitja e saj ka qenë e mirë dhe jo vetëm ka spikatur në mesfushë, por ka qenë edhe autorja e dy prej pesë golave të shënuar nga “Juban Danja” ndaj Teutës.

Një fillim i shkëlqyer i karrierës së kësaj lojtareje që premton shumë për të ardhmen. Luan si mesfushore e krahut të
majtë dhe ka disa veçori në lojën e saj, që e bëjnë të bjerë menjëherë në sy. Duket se do të kemi të bëjmë me një
element i cili do të lërë gjurmë në futboll.
www.shkodrasport.com