Odise Roshi e ka nisur vitin me një dopietë fantastike. Teksa tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” se është rikthyer nga një dëmtim i lehtë, “raketa” kuqezi ishte protagonist kryesor në fitoren e Akhmat Groznit, duke realizuar dy herë në fitoren 3-1 ndaj skuadrës Otor Volgograd.
Një eurogol në mes të zonës me një gjysmëroveshatë dhe një tjetër goditje që nuk u ndal dot nga portieri. Për gazetën, Roshi tregon startin e këtij sezoni si dhe flet për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares në Ligën e Kombeve. Në sezonin e fundit, mesfushori fierak shënoi tetë herë për ekipin rus. Shtatë në kampionat dhe një gol në Kupë, teksa dy gola ia ka hequr sistemi VAR, duke mos e lënë që të arrijë kuotën e dhjetë golave.
Roshi, shënuat dopietë. Si ishte ky start sezoni për ju?
Nisa në mënyrën më të mirë. Kjo ishte ndeshja e dytë për mua dhe më duhet të them që vija nga një dëmtim. Për çfarë dëmtimi bëhet fjalë? Diçka jo shumë e rëndë. Një dëmtim i lehtë muskulor, por që më la jashtë fushave dhe jashtë ekipit për disa ditë. Falë Zotit tani jam në formë dhe siç u pa në atë ndeshje ia dola që të shënoj dy herë. Ishte e para ndeshje në shtëpi për këtë sezon dhe më vjen mirë që e nisëm me fitore dhe 2 golat e mi.
Çfarë ju thanë pas atyre dy golave?
Për ekipin ishte shumë e rëndësishme fitorja. Më përgëzuan të gjithë. Jam prej kohësh në atë ekip dhe tashmë ndihem mjaft mirë me ekipin, shokët, stafin, qytetin dhe gjithçka.
Shënuat edhe me roveshatë. Çfarë menduat në atë moment në mes të mbrojtësve?
Ndodhi shumë shpejt. Gjuajtja me kokë, sfera m’u kthye prapë. Në fillim e ngrita ndaj mbrojtësit dhe pastaj mendova vetëm të godas. Nuk kisha zgjidhje tjetër dhe kisha në mendje vetëm se si mund ta çoja në portë topin. Për fat, realizova një gol shumë të bukur me atë gjysmë-roveshatë.
A ishte ky goli juaj më i bukur në karrierë?
Jo, nuk mendoj se ka qenë më i bukuri. Ishte i vështirë, vërtet i bukur për t’u parë, por në fakt jo më i bukuri. Nëse kujtohem mirë, do të zgjedh atë ndaj Tiranës kur kam qenë me Flamurtarin si golin tim më të bukur. Një gjuajtje nga distanca, mbase rreth 30 metra. Atë veçoj.
Merkato, a pati ndonjë mundësi tjetër lëvizje, ofertë apo shans për të ndërruar ambient gjatë merkatos së verës?
Jo, ishte periudhë e qetë këtë herë. Pandemia në të gjithë botën ka bërë që edhe klubet dhe futbolli të kalojnë një moment jo të mirë financiar, për të mos thënë që në disa klube ka pasur edhe vështirësi dhe deri diku krizë financiare. Unë kam edhe dy vite kontratë me Akhmatin, presidenti dhe të gjithë më respektojnë dhe momentalisht ndihem shumë mirë. Futbollit nuk i dihet asnjëherë, por them se jam në rregull këtu.
Ju ka munguar Kombëtarja, si e prisni rikthimin në 31 gusht?
Po e pres me padurim. E kam thënë dhe do ta përsëris çdo herë se ndeshjet me Kombëtaren janë diçka që nuk e përshkruan dot me fjalë. Ndjesi e jashtëzakonshme. Kënaqësi e madhe. Pres me shumë dëshirë që të vijmë në Tiranë dhe të mblidhemi me shokët dhe ekipin për të nisur një edicion të ri. Uroj që ta nisim mbarë dhe të arrijmë sa më lart të jetë e mundur.
Keni nisur ngacmimet me shokët, duke njohur tipin tuaj ngacmues dhe me humor?
Jo, akoma. Është shpejt. Ndonjëherë ndodh që të ngacmohemi me njëri-tjetrin, por deri më tani ka qenë periudhë e qetë. Të kaloj edhe ndeshjen që kam nesër (sot) në kampionat dhe pastaj fokusi do të jetë te Kombëtarja.
Do të pranoni që të luani sërish në të majtë?
Në fakt, mua më ka ecur në të majtë. Kam pasur fat. Sigurisht që unë kam dëshirë që të luaj në rolin tim natyral, në të djathtë, ku edhe mendoj se mund të jap më shumë, ama për Kombëtaren jam gati që të jap gjithçka dhe kudo ku të jetë nevoja.
Cili është objektivi sezonal i Roshit, kur që në ndeshjen e dytë realizuat dopietë?
Vjet ndalova në tetë gola dhe VAR-i më hoqi dy gola, pasi e kisha si synim që të shënoja dhjetë gola. Megjithatë, uroj që të kem shëndet dhe të mos kem dëmtime, pasi duke qenë mirë, mund të arrihet çdo objektiv dhe çdo synim. Në këtë periudhë të vështirë, le të urojmë që të jemi mirë, të luajmë në vazhdimësi dhe që sa më shpejt të rikthehet normaliteti për të gjithë botën.