Ka kaluar shumë peripeci gjatë karrierës së saj sportive. Por Rovena Marku mbetet ajo vajza e thjeshtë dhe gjithë vullnet nga Shiroka që për gati 13 vjet mbizotëroi “skenën” e notit shqiptar. Ndonëse në hedhjen e fundit nga pedana në një garë profesioniste, ka kaluar më shumë se një vit, Rovena shprehet me ngrohtësi se me notin nuk e ka dhe nuk ka për ta mbyllur kurrë. Të gjithë e njohin historinë e saj. Nga të qenit në majë si notare për 13 vite, 2 Olimpiada, Botëror, Europian dhe deri tek përjashtimi dhe zerimi i rekordeve.

Të gjitha këto e kanë bërë më të fortë më të pjekur dhe gati për jetën. Historia e saj është sa e bukur por e koklavitur. Gjithsesi, Rovena ka pranuar të rrëfejë veten e saj me notin dhe sportin nga 9 vjeç kur nisi garat e deri sot që është sportiste dhe trajnere, në këtë intervistë. Të qenit vetëm në Tiranë, pasionet, stërvitja, problemet, arritjet dhe gabimet, por edhe tani së fundmi shkolla dhe puna me fëmijët dhe vullnetarizmi.
Rovena pse zgjodhët notin?
(Buzëqesh) Nuk e zgjodha unë, më zgjodhi noti mua. Dashuri e papërshkrueshme.
Çfarë ju shtyu drejt këtij sporti?
Ndoshta sepse më pëlqejnë sfidat, më pëlqen gara. Pastaj e rritur në ujë, diçka që ishte bërë pjesë e imja. Është një ndjesi e papërshkrueshme kur je në ujë.
Kur e nisët notin, më saktë çfarë moshe?
Unë që tre vjeç rrija në ujë, gjithë ditën dhe nëna ushqimin ma sillte tek liqeni. Por kur e nisa tamam kam qenë 9 vjeçe. Fillova të kuptoja që bëja pjesë në sportin e notit, të kuptoja nocionin e stërvitjes.
Kishit idhull në sport?
Oh, shumë fjalë e bukur “idhull”, por nuk kam pasur një të tillë. Doja gjithnjë të formoja një Rovenë që të arrijë majat, si nga ana profesionale dhe morale.
Si nisi karriera sportive si profesioniste?
Kjo është pjesa që më pëlqen më shumë të rrëfej. Duhet të kthehem në kujtime mbrapa, shumë të bukura. E fillova këtu në Shqipëri, por me kushte shumë të vështira, nuk arrija të stërvitesha, por falë vëllait tim, më mori në Torino, Itali. Atje unë arrita atë që doja, me trajnerë shumë të specializuar që kishin durimin me mua, sepse nuk ka qenë e thjeshtë me mua. Stërvitesha 8-9 orë në ditë, ndërkohe duhej të studioja dhe punoja. Fabrizio Clary ka qenë ai që më ka dhënë këtë emër kampioneje dhe që sot e kësaj dite më ndjek në karrierën time.
E mban mend rezultatin e parë të rëndësishëm?
Sigurisht, kam një diplome. Është 50m stil i lirë, koha 45’34 dhe që herën e parë kam dalë kampione, edhe pse akoma nuk kuptoja gjë, të tjerët më përqafonin, gëzoheshin, unë qeshja.
Po rekordin e parë?
Po, është 50m stil i lirë. Theva rekordin e të rriturve dhe pse isha fëmijë. Momente që nuk fshihen. Më thoshin ke thyer rekord dhe unë u thosha: E çdo të thotë kjo? M’u tha që je kampione. E kisha kuptuar tashmë rrugën që duhej të ndiqja. Atë rrugë që duhet të ndjekin kampionët. Sakrificë, dedikim, disiplinë, pasion.
Dhe u kthyet në një sportiste të rëndësishme për shumë kohë…
Faleminderit. Kanë qenë goxha vite që kam dhënë çdo gjë për sportin e notit, duke qenë në majat e tij. Ndihem me fat vërtet, nuk ka qenë e lehtë, por çdo gjë ka vlejtur, më beso.
Si ishte një ditë notareje?
Unë nuk kam bërë jetën vetëm të një notareje, po dhe studioja dhe punoja. Më çonte vëllai në stërvitje që në 4 të mëngjesit, pastaj në shkollë.

Në shkollë kishim palestër dhe bëja palestër, pastaj me vrap në pishine, 3-4 orë stërvitje, punoja pastaj me fëmijët në pishinë dhe në fund fare përsëri ishte vëllai im që më priste aty dhe në shtëpi ku nisja studimin. Fale vëllait kam arritur t’i bëj këto gjëra.
Në Shqipëri merreshit me not në kushte që edhe sot nuk janë nga më të mirat për këtë sport?
Oh, është për të ardhur keq, por është e vërtetë. Vetëm 3 muaj bëja not dhe pastaj merresha me vrap, me volejboll, basketboll, sepse doja të isha në formë. Sfidat ishin bërë pjesë e imja, doja të realizoja misionin tim, një kampione.
Si ishin Olimpiadat dhe pjesëmarrja nëpër Botërorë dhe Europianë?
Një sportist stërvitet gjithë jetën vetëm për arritjen në Olimpiadë dhe kampionate botërorë. Unë e kam pasur atë fat. Më kanë dhënë shumë këto aktivitete, marrëdhënia me kultura të ndryshme, shumë miq. Arritje e madhe të arrish të bashkëjetosh me to. Gjithnjë ia thosha vetes me shaka: unë një provinciale nga Shiroka të gjendet këtu.
Por veç të mirave pati edhe probleme, polemika me Federatën?
(Ul kokën dhe mendon, trishtim në sytë e saj) Nuk ka qenë e lehte ajo periudhë. Kam qenë shumë e lodhur, e mërzitur, jam ndjerë shumë vetëm. Familja ime më ka mbajtur në këmbë. Më kujtohet mami që kur qaja më jepte shuplaka e më thoshte: “Zgjohu”. Ti nuk do dorëzohesh. Ti duhet t’ia dalësh. Arrita të rezistoja. Më kishin prekur gjënë më të bukur dhe më të dashur notin.
Si ndiheshit atë kohë dhe çfarë mendoni tani për atë situatë?
Shumë ma bëjnë këtë pyetje. Jam ndjerë shumë keq. E thashë, pa mbështetje, vetëm. Por kur mendoj sot jam bërë shumë e fortë, jam rritur. U bëj ballë ndryshe situatave. Ka qenë si një shkolle për mua ajo periudhë.
Përse e latë notin. Mund të kishit dhënë ende?
Sigurisht që do jepja, dhe sot po t’i hyj stërvitjes ashtu siç duhet të bëhet. E di që ia arrij, sepse e di kush jam dhe aftësitë e mia, por nuk mbetet çdo gjë këtu, janë shumë gjëra të tjera. Kisha shkollën për të përfunduar, duhej të punoja sepse nuk mundesha më. Ana ekonomike ishte thelbësore, por dhe mënyra se si njerëzit vepronin dhe mentaliteti më lodhi. Stop thashë dhe ashtu bëra. U mora me studimet dhe punën.
Çfarë do të kishit bërë ndryshe në karrierën tuaj nëse ktheheni pas?
Nuk do kthehesha në Shqipëri.
Si ju duket noti sot?
Ka shumë për të bërë. Jemi akoma me koncepte të prapambetura. Nëse dikush mendon të bëjë diçka të bukur, të tjerët direkt të nxjerrin pengesa, dhe kjo është thjesht etje për të qenë ata dhe jo njerëzit e punës. Ka shumë për të bërë.
Tani jeni trajnere noti si është ky profesion i ri për ju?
Profesion shumë i bukur, me të njëjtin pasion dhe dashuri. Kam të bëj me lloj-lloj karakteresh çdo ditë, me lloj-lloj situatash, kjo është e bukura.

Më vështirë trajnere apo sportiste? Trajnere sigurisht. Sportiste çdo gjë e kisha unë në dore. Tani më duhet të jap nga vetja ime ndihmë morale, profesionale që të arrij atë që duhet.
Dashuri e madhe me pak fjalë. Planet e së ardhmes?
Pyetje me vend. Të përfundoj fizioterapinë, që është pasion më vete për këtë profesion. Të punoj fort. Të kujdesem për fëmijët e mi (ekipin), për klientët e mi (pacientët) dhe te mos kaloj asnjë moment pa buzëqeshur jetën.

Ato që nuk njohim tek ju mund të na i rrëfeni?
Çfarë të them, ndoshta do të duheshin ditë të tëra përshkrimi dhe sigurisht do harroja ndonjë gjë dhe do ju mërzisja sigurisht. Rovena është një det i trazuar, një det i qetë, një furtunë, pranverë plot me ngjyra. Sigurisht nuk dua të përshkruaj kutinë nga jashtë, e bukur, e shëmtuar, e shëndoshë, e dobët, e gjatë, e shkurtër, por dua të përshkruaj atë që jam. Personalitetin tim…që mund të pëlqehet ose jo, por unë jam kjo dhe kush më njeh e konfirmon. Në jetën time nuk ekzistojnë fitore dhe humbje, por vetëm eksperienca që më mësojnë për jetën, dhe ekzistojnë në jetë dhe për të cilat nuk do të resht së luftuari. Unë nuk do ndryshoj kurrë për dashuri. Jam dhe dua të jem Rovena që jam. Kokëforte dhe e ndërgjegjshme. Mendoj shpesh, e dua vetminë time, nuk më frikëson dhe them që shpesh më ndihmon. Jam shumë racionale, më pëlqen të vihem në diskutim dhe nuk jap asgjë të sigurt. Nuk kam frikë të përballoj vështirësitë që bëjnë pjesë në jetën e përditshme, shumë herë jam impulsive dhe më duhet të mendoj pak përpara se të përgjigjem, por nganjëherë nuk ekziston koha materiale për ta bërë. E dua thjeshtësinë që shoqërohet me përulësinë. Kam një memorie të mirë që nuk harroj kush më bën mire dhe gjithashtu kush më bën keq.

E dua sinqeritetin sepse jam e sinqertë, nuk duroj hipokrizinë dhe kush është fals, gjë që e kam takuar te shumë njerëz të tillë. Rovena është një vajzë që emocionohet kur dëgjon himnin kombëtar, kur përqafon flamurin e saj edhe pse ky vend, falë disa njerëzve të padenjë, ka krijuar një situatë negative. Rovena i thotë gjërat si janë dhe për më shumë dua t’u them këtyre personave të mësojnë të emocionohen. Vetëm kështu do mësojnë të bëjnë mirë punën e tyre dhe misionin që kanë.
Cili është shkollimi juaj, sepse noti ka qenë vetëm një pjesë juaja.
Kam studiuar në Shkencat Motorike, specializim dhe për fëmijët me autizëm TMA (Terapia multisistematike në ujë). Po studioj fizioterapi në një universitet italian. Dimë që keni edhe plane të tjera? Në mendjen time kam hartën e projekteve të mia që do mundohem t’i realizoj. Gjithnjë mendoj një qendër të vogël, sallë fizioterapie, pishine rehabilituese. Për moshën e tretë kam shumë dëshirë të bëj diçka, ambiente dhe përkujdesje.
Jeni marrë edhe me vullnetarizëm dhe bamirësi këto kohë?
Është një pjesë e imja që më pëlqen shumë, me aq mundësi kam. Fëmijët jetim dhe mosha e tretë. Është një ndjesi e bukur, një buzëqeshje i jep mundësi tjetrit ta mendojë ditën ndryshe me plot ngjyra.
Edhe tani që s’jeni sportiste keni një ditë shumë të ngjeshur?
Po, shumë e ngjeshur. Shkolla, studimi dhe puna. Kam shumë, shumë pak,ose aspak kohë të lirë dhe atë kohë të lirë që mund të kem ose lexoj ose jam në ujë.
Çfarë lexoni?
Gjithnjë libra që kanë lidhje me punën time, për fizioterapinë dhe stërvitjen për fëmijët. Dua të jem sa më profesionale dhe e përgatitur.
Shumë vajza tërhiqen nga moda, ju?
Jo unë vishem R.M (Rovena Marku)
Çdo njeri ka pasione… Ju?
Noti, muzika. Më pëlqen të eci, më pëlqejnë shumë shëtitjet në mal.
Gatuani?
Më pëlqen kuzhina. E kam shumë qejf gatimin, por të them të drejtën nuk është se kam shumë kohë. Kam mësuar të gatuaj nga vëllai im, pastaj dhe nga mami, dhe nga miqtë e mi që u vjedh recetat.
Diçka të fundit?
Dua të shtoj dhe diçka. Unë jam njeri me fat. Kam në jetën time një familje plot vlera dhe dashuri që më kanë mësuar ta dua jetën. Kam shumë të njohur, por miq pak, por ata pak janë esenca e dashurisë dhe miqësisë së pastër. Falënderime për njerëzit që më kanë penguar, sepse më kanë bërë më të forte, por mirënjohje për njerëzit që po më shoqërojnë në rrugëtimin tim dhe që nuk lodhen me Rovenën.

Kush lufton pengohet
Rekordmenia Rovena Marku është përjashtuar dhe më pas falur në 2009-ën nga sporti i notit për arsye mëse të kota. Deklarata, e kryesisë së Federatës Shqiptare të Notit, thoshte në atë kohë se sportistja kishte prishur imazhin dhe punën që bëhet për promovimin e sportit të notit me disa deklarata në media.

Vogëlsira me të cilat kapen njerëzit e vegjël. Gjithsesi, më qartë mund të thuhet se sportistja kishte probleme me drejtuesit e asaj kohe të federatës. Ai dënim në 2009-ën rrokullisi gjërat dhe bëri që Marku të “gëlltiste” një karrierë të gjatë 13-vjeçare. Edhe sot e kësaj dite ajo nuk ka dëshirë të përzihet me federatën por vazhdon punën e saj si trajnere, pa bërë polemika mbi të shkuarën.

“Valixhja” e kujtimeve
Në karrierën e saj sportive me medalje dhe rekorde Rovena që për disa vite ishte një nga notaret më të mira të vendit nuk harron të hapë “valixhen” e kujtimeve. Edhe pse nuk do të ndajë asnjë, medalja e parë në Itali mbetet e veçantë. “Më beso, asgjë nuk mund të harroj, por më specifikisht mund të them medaljen e parë në Itali. Nuk kisha shume kohë që stërvitesha, isha lodhur shumë sepse bëja stërvitje me më të mirët e Italisë dhe unë isha një e ardhur nga një vend i vogël me më të mirët. Nuk ishte e thjeshtë, më duhej të luftoja me veten. Nuk besoja që do isha në çerekfinale. Imagjinoj vetëm kur kam parë veten në podium. Sa kam qarë atë ditë nga gëzimi. Vëllai që më shikonte e qante dhe ai. Sepse ishte arritje e madhe”, shprehet Rovena.

13 vjet kampione absolute
Rovena Marku ka lindur në Shirokë më 21.05.1987. Për 13 vite rresht ajo është kampione absolute e vendit deri në vitin 2009 dhe rekordmene. Ka konkurruar në të gjitha garat stil i lirë, nga 50 deri në 1500 metra. Nuk mbeten pas as stilet e tjera dhe “Rovi”, pranon se ka garuar në çdo disiplinë në not. Femra e vetme që ka mbyllur garën e gjatë 1500 metra stil i lirë. Pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike “Athina 2004”. Pjesëmarrëse në Lojërat Mesdhetare “Almeria 2005”. Pjesëmarrëse në “Athinë 2004” e në “Pekin 2008” me ftesë si sportistja më e mirë femër. Po kështu ajo gjatë gjithë kësaj kohe ka marrë pjesë rregullisht në Europiane dhe Botërorë.

Pengu i karrierës

Kohë përpara një gazetë shkruante me titull të madh, “Rovena …shkatërrimi i një ëndrre”. Një gjendje që përkthehet në pengun më të madh të Rovenës gjatë karrierës së saj sportive. Edhe vetë ajo e pranon një gjë të tillë. “Në atë kohë atë titull e ndjeja reale, diçka timen. Sepse ishte ashtu, ishte ajo çfarë në ato momente ndjeja. Është e vështirë të përshkruash ndjenjat që provohen duke dashur disiplinën tënde. E vështirë për t’i bërë të kuptojnë që vetëm impenjim, qëndrueshmëri, dashuri dhe duke hequr dore nga njerëzit më të dashur dhe jetën personale, bëjnë që të arrish deri këtu ku kam arritur unë. Për respekt ndaj këtyre ndjenjave që akoma janë brenda meje ose që kultivoj me shumë pasion nuk dua të hyj ne përshkrime personale që do më bënin keq. Them vetëm qe njerëzit që drejtojnë shoqëritë sportive dhe kategori të ndryshme të niveleve të ndryshme duhet të kenë një koshiencë dhe dashuri për atë që bëjnë duke i kuptuar këta të rinj. Të kuptojnë përpjekjet dhe sakrificat. Nuk është e thjeshtë të përgjigjesh “Jo” pyetjeve që jeta e një adoleshenti parashtron. Ato si unë japin shpirtin. Për më shumë mund të përgjigjem që duke u maturuar, kam zbuluar që në të vërtetë ëndrra ime nuk është shkatërruar asnjëherë, sepse ëndrrat nuk shkatërrohen, por thjesht nuk realizohen dhe unë po punoj shumë që të realizohen”.

Olsi Avdiaj