Ditën e dielë ka qenë planifikuar të mbaheshin zgjedhjet për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Boksit, por diçka e tillë nuk do ndodhë. Kjo pasi një prej shoqatave më të vjetra, po ashtu një ndër shoqatat themeluese të Federatës Shqiptare të Boksit, Rozafa Boks, ka paditur në gjykatë Asamblenë parazgjedhore pasi janë përjashtuar rreth 9-10 shoqata të tjera.

Po ashtu, nga 22 shoqata/klube sportive pjesë e federatës, u është dhënë e drejta për të marrë pjesë në votime vetëm 7 prej tyre, mjafton të përmëndim ekipet e përjashtuara si: Tirana, ⁠Studenti, Flamurtari Vlorës dhe ⁠Teuta Durrës.

Gazeta mëson se shoqata “Rozafa Boks’ pretendon se presidenti aktual, Florend Kalivopulli, i cili kërkon të marrë një mandat të 3-të, ka përjashtuar shoqatat e lartpërmëndura, duke përfshirë shoqata të krijuara rishtazi dhe pa asnjë pjesmarrje në aktivitetet kombëtare, që të ketë numrat e nevojshëm për t’u rizgjedhur në këtë post.

Nisur nga faktet e paraqitura gjykata e Tiranës ka urdhëruar pezullimin e asamblesë zgjedhore. Përveç Florend Kalivopullit në këto zgjedhje kandidon për president edhe Elidor Bushati, i cili prej rreth dy vitesh mbështet financiarisht dhe promovon, kampionët e boksit profesionist.
Deri në një vendim të dytë nuk dihet ende sesi do procedohet./www.shkodrasport.com/