Për 6 muaj me rradhë ka qenë larg Shqipërisë, pikërisht në Kanada pranë familjarëve të tij megjithatë nga Vllaznia nuk ka hequr dorë për asnjë moment. Mjeshtri I Merituar I Sportit Ramazan Rragami, përmes mjeteve të ndryshme të komunikimit dhe për më shumë tashmë përmes internetit, ka qenë në koferencë me zhvillimet tek ajo. Me të mbërritur në Shkodër, ka nxituar për në stadium për të ndjekur miqësoren me Tiranën dhe është larguar prej aty me përshtypje të mira për ndryshimet që vëreheshin tek Vllaznia.
Rragami në të parën dalje publike në media, ka analizuar me hollësi atë çfarë ka ndodhur në fazën e parë, ka folur për dështimin e Duros dhe njëkohësisht ka dhënë shpresa për një ecuri ndryshe tani e tutje të skuadrës shkodrane. Ja intervista e plotë me të:
-Profesor, disa muaj larg Shkodrës, kanë qenë muaj edhe larg Vllaznisë?
Vërtetë kam qenë larg Shkodrës por jo larg Vllaznisë. Çdo ditë jam njohur përmes internetit me lajmet që e shoqëronin atë dhe po ashtu kam patur kontakte të shpeshta telefonike edhe me drejtuesit e saj. Sigurisht që nuk jam ndjerë aspak mirë kur merrja vesh për ecurinë jo të mirë të saj.
-Në fillim të qershorit, si pjestar I Këshillit të Trajnerëve, keni qenë një nga njerëzit që keni votuar për uljen e Shpëtim Duros në pnkinën e Vllaznisë. Ai tashmë nuk është më në këtë post. Mendoni se nuk ka qenë zgjedhja e duhur?
Shiko, kanë qenë disa kandidatura për trajner në verën e vitit të kaluar. Ka qenë Duro, ka qenë Bushati, madje ndër kandidaturat më kryesore, ka qenë Cungu, Haxhiosmanoviç e ndonjë tjetër. Por siç është zgjedhja e trajnerit është e drejtë ekskluzive e presidentit dhe z. Luka ndoshta I sugjeruar nga stafi I tij që përbëhet nga njerëzit më të besuar, vendosi për Duron. Edhe unë kisha besim se me të në krye të skuadrës gjërat do shkonin mirë por nuk ndodhi ashtu.
-Domethënë që keni mbetur I zhgënjyer nga puna e këtij trajneri?
Po, kjo është e vërtetë. Kam mbetur I zhgënjyer nga puna e tij tek Vllaznia, këtë e them haptazi. Por nuk është vetëm kjo gjë. Këtu, më duket se në këtë përzgjedhjen e trajnerëve, në përzgjedhjen e lojtarëve, në këtë punën e mbyllur, sesa lekë janë blerë, cilët lojtarë largohen dhe cilët afrohen, tek Vllaznia ka patur një familjaritet të sëmurë. Vetëm në përzgjedhjen e lojtarëve nuk duhet me pasë familjaritet të sëmurë. Vllaznia në verë e kishte skuadrën dhe ajo kishte nevojë për blerjen e atyre lojtarëve që do ta rrisnin nivelin e skuadrës dhe jo të vinin lojtarë që nuk treguan asgjë. Kam qenë dhe jam I mendimit se në kushte të tilla, më mirë t’u besojmë lojtarëve të dalë nga Akademia që ndoshta vërtetë japin 5 apo 10 % më pak se lojtarët që mund të blihen me shumë të mëdha dhe nuk japin asgjë.
-Nga ana tjetër, edhe Bashkia u tërhoq në njëfarë mënyre nga drejtimi I klubit….
Bashkia tregoi se nuk mund ta mbante ndonëse në rradhët e saj ka njerëz të zotë por futbolli I do drejtuesit çdo moment mbi kokë. Unë besoj se me ardhjen e z. Çela gjërat do shkojnë ndryshe, edhe për vetë eksperiencën që ai ka patur me Vllazninë më përpara.
-Ka ardhur edh Bushati si trajner. Do të bëjë më mirë ai?
Kam shumë besim tek Bushati, tek përvoja e tij, tek fakti që si shkodran e ndjen më shumë situatën e krijuar dhe do të kërkojë të bëjë më të mirën me Vllazninë. Jam I bindur se situata do të ndryshojë shpejt. Duhet bashkëpunim I ngushtë edhe me tifozët. Nëse spektatori u kthye në miqësoren me Tiranën, kjo do të thotë se ai nuk ka dëshirë ta lërë në baltë Vllazninë por e rëndësishme është që Vllaznia të mos e lërë në baltë spektatorin. Ekipi I ka lojtarët me eksperiencë, ka edhe elementin e ri që premton shumë për të ardhmen dhe duke I gërshetuar ato, do ketë një ecuri të mirë.
-Të premten sfida e parë në Korçë me Skënderbeun. Mund ta nisë me pikë Bushati?
Objektivi ai duhet të jetë, për të mos u kthyer pa pikë por duhet bërë shumë kujdes. Skuadra duhet të luajë në grup, të zbatojë detyrat që do t’I japë trajneri dhe nëse edhe fizikisht është mirë, pse jo, mund të merret pikë pavarësisht se luhet ndaj skuadrës më të mirë të kampionatit.
Gjergj KOLA