
Analiza që i bën ai Vllaznisë është e hollësishme. E njeh mirë këtë skuadër, është pranë saj dhe në këto kushte, di të dallojë mirë çfarë ëhstë bërë mirë dhe çfarë është bërë keq. Ramazan Rragami prej kohësh e pat shprehur skepticizmin e tij për mosdaljen në Kupat e Europës dhe kjo gjë u vërtetua tashmë. Duke folur pas ndeshjes së fundit me Shkumbinin, ai do thoshte keshtu per gazeten online
www.shkodrasport.com: “Unë kam qenë jo krejt i bindur por kam patur dyshimet e mia nëse Vllaznia do të kapte një vend që do ta çonte në Kupat e Europës. Këto dyshime të miat, mi përforcoi edhe më shumë ndeshja e fundit në Peqin ku u shfaqën shumë dobësi si nga përgatitja fizike, si nga stabiliteti, si nga ardhja në formë e lojtarëve. E kam thënë edhe më parë se “kaq është takati i kësaj Vllaznie”. Kjo vërtetohet nga ajo çfarë shohim në pjesët e dyta të ndeshjes. Edhe nëse ndonjë lojtar e rrit formën, bien katër-pesë të tjerë. Ne kemi pretenduar të kapemi me skuadrat e kreut por në fakt po humbasim me këto skuadrat e dobëta”. Mjeshtri Rragami e përsërit shpesh këtë shprehjen se “kaq është takati i kësaj skuadre” por kjo shprehje e tij nuk është pritur mirë nga disa prej futbollistëve të Vllaznisë. I pyetur në lidhje me këtë gjë, ai ka shtuar: ” Nëse këta futbollistë nuk janë dakord me këtë shprehje, në fushën e lojës, mund ta ndryshonin këtë koncept por asgjë nuk ka ndryshuar për këtë arsye, ajo nuk jep as 50 për qind të mundësive të saj në fushë. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse Vllaznia nuk ka bërë një merkato të mirë, nuk ka konkurrencë tek lojtarët. Po ashtu mungesa e përgatitjes fizike i dha rezultatet në ndeshjet e para apo dhe tek eliminimi në kupë”. Ish- futbollisti dhe ish-trajneri i Vllaznisë ndalet edhe tek ndeshja e fundit, ajo me Shkumbinin duke u ndalur edhe tek gabimet e vërejtura.”Ndaj Shkumbinit skuadra tregoi shumë dobësi.Edhe në rastin e pësimit të golit, përveç gabimit të portierit Gjokoviç që nuk e largoi ashtu siç duhet topin, desha të them se çfarë bënë dy mbrojtësit e qendrës që nuk e markuan lojtarin kundërshtar”-ka thënë ai. Por a ka ende shpresa për të ardhmen për një vend në Kupat e Europës? Ramazan Rragami mendon ndryshe. Ai u bën thirrje drejtuesve të klubit të fillojnë të mendojnë për sezonin e ardhshëm e për këtë në fund do të shprehej: “Në lojë janë edhe 15 pikë në 5 ndeshjet e mbetura por nuk shoh shumë optimizëm. Vërtetë ka rritje të formës së disa lojtarëve të rinj që mund të përfitohen por ka të tjerë që duken të velur nga dëshira për të dhënë diçka më shumë për këtë skuadër. Ndoshta jam i shpejtum por këto lojtarë që vijnë sa për të kaluar rradhën ndoshta, duhet të japin më të mirën me të se ndryshe ata nuk duhet të kenë më vend tek kjo skuadër. Kam kujtuar se kemi sulmin më të mirë me Rexhën, me Shtubinë, Hajdarin, Dragoin por në të vërtetë nuk paska qenë kështu”.
Gjergj KOLA
(shkodrasport.com)