www.shkodrasport.com
Rragami: Vllaznia tregoi se ka ende probleme
E ka pranuar edhe vetë ai. Specialisti i mirënjohur i futbollit shkodran Ramazan Rragami është shfaqur kritik ndaj paraqitjes së Vllaznisë në ndeshjen e Vlorës me Flamurtarin, për pjesën e parë shumë të dobët, për gabimet në mbrojtje dhe gjëra të tjera që kanë të bëjnë me paraqitjen e skuadrës në këtë ndeshje. “Mendoj se nuk ka qenë një paraqitje e mirë e Vllaznisë ajo në Vlorë. Jo se Flamurtari e dominoi ndeshjen madje mund të themi se po t’u referohemi rasteve të krijuara, Vllaznia ka patur më shumë raste, madje edhe të pastra por prapë ka dalë e humbur. Pse? Dy janë arsyet mendoj unë. E para , arbitrimi që ndikoi në njëfarë mënyre tek futbollistët dhe e dyta, Vllaznia po gabon sërish në qendër të mbrojtjes. Nuk lejohen gabime të tilla në këtë repart. Ka kohë që flitet e diskutohet pikërisht për këtë problem dhe vazhdojmë të pësojmë gola krejtësisht të evitueshëm. Mendoj se është e pafalshme një gjë e tillë”- ka thënë Rragami ekskluzivisht për gazetën online www.shkodraport.com. I pyetur në lidhje me paraqitjen e dy lojtarëve që luajtën për herë të parë në formacion këtë ndeshje, Rragami ka shprehur rezervat e tij për Morenon dhe Vuk por ndonjë mangësi që ata kanë shfaqur në lojë, ia ka faturuar kohës së pakët që kanë në ambjentim me skuadrën. “Nuk kanë bërë një ndeshje të mirë as ata dhe kjo tregon se duhet t’u lëmë edhe më shumë kohë në dispozicion, për t’u harmonizuar mirë me skuadrën dhe për të rritur nivelin e tyre”-ka thënë këshilltari teknik i trajnerit Vata. Shumëkush nuk e mendon Vllazninë favorite për kalimin në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Rragami ndërkohë ka mendim tjetër dhe këtë e bën të ditur edhe për gazetën tonë kur thotë: “Vllaznia ndeshjet me Skënderbeun dhe Flamurtarin që ka në Shkodër duhet t’i fitojë dhe nuk ma merr mendja se ndokush mund të thotë se nuk mundemi. Ne përderisa thamë se ishim mundësitë për të marrë pikë në Shkodër, pse të mos mendojmë t’i mundim këto dy skuadra në Shkodër. Mundësitë mendoj se i ka Vllaznia mundësitë dhe aftësitë për të dalë në gjysmëfinale të Kupës”.