Vllaznia njihet për lojtarët e rinj që ka nxjerrë në vite të cilët kanë mbushur jo vetëm rradhët e saj por edhe të ekipeve të tjera. Jo më kot, Shkodra konsiderohet “hambar” për të rinjtë. Por pikërisht ky përkufizim shpeshherë ka sjellë efekt negativ tek skuadra shkodrane dhe madje në tre raste, ajo ka dështuar në marrjen e tre lojtarëve të rinj të cilët më pas kanë spikatur në ekipe të tjera. Madje, janë bërë pjesë edhe e ekipeve kombëtare.

Arsyeja ishte e thjeshtë: Kur kanë mbërritur tek Vllaznia në moshë të re, trajnerët që kanë qenë në ato momente aty, nuk kanë marrë përsipër rriskun e marrjes së këtyre lojtarëve sepse kjo mund t’i bënte “armiq” me “vendalinjtë”. Por kjo i ka kushtuar jo pak klubit shkodran. Ndiqni më poshtë tre rastet ku Vllaznia ka dështuar me tre futbollistë që brenda një periudhe të shkurtër do të bënin shumë emër:

“Dështimi” i parë: Amir Rrahmani
Historia e tij ka qenë shumë e thjeshtë. Iu propozua drejtuesve të Vllaznisë në korrik të vitit 2012. Ishte 18 vjeç, 1.90 m i gjatë dhe me disa të dhëna të mira dhe luante në Superligën e Kosovës me ekipin e Drenicës. Por këto të dhëna nuk i mjaftuar për të qëndruar në Shkodër. Aty, trajner në atë periudhë i kuqebluve ishte Shpëtim Duro. Ai, sigurisht që duke u konsultuar edhe me drejtuesit e klubit dhe me stafin e tij, duke mos parë ndonjë gjë të veçantë mbi bashkëmoshatarët e tij shkodranë, pas 4-5 ditësh provë, kthehet andej nga kishte ardhur. Amir Rrahmani u kthye sërish në Kosovë ku luajti edhe një sezon me Drenicën, më pas në verën e vitit 2013 erdhi tek Partizani ku i besuan dhe dy vite më vonë ai do të shitej në Kroaci, teksa aktualisht është pjesë e Dinamos së Zagrebit. Ka qenë edhe pjesë e kombëtares së Shqipërisë dhe së fundi është pjesë e Kombëtares së Kosovës.

“Dështimi” i dytë: Ylber Ramadani
Ka qenë korriku i vitit 2015. Në atë kohë, trajner i Vllaznisë ishte Luan Zmijani. Nga Kosova dikush i sugjeroi të provonte mesushorin Ylber Ramadani, vetëm 19 vjeç.

Lojtari qëndroi disa ditë në provë dhe më pas, stafi e largoi sepse nuk bindte. Nuk bënte diferencë me shkodranët e tjerë të kësaj moshe dhe trajneri normalisht mori vendimin e duhur. Lojtari në atë periudhë u kthye sërish në Kosovë ku luajti për Dritën e Gjilanit dhe në janar të vitit 2016 erdhi tek Partizani ku arriti të bindë stafin dhe shpejt u bë një lojtar i rëndësishëm. Madje në sezonin e kaluar ka qenë titullar i padiskutueshëm, aq sa në verën e këtij viti kalon tek ekipi Velje në Danimarkë duke derdhur në arkën e klubit të Partizanit një shifër të konsiderueshme. Ramadani është kapiten i kombëtares U-21 të Shqipërisë dhe madje, është ftuar edhe në kombëtaren e madhe nga trajneri Panuçi. Ky është “dështimi” numër 2 i merkatos së Vllaznisë së viteve të fundit

“Dështimi” i tretë: Dejvi Bregu
Erdhi në Shkodër në janarin e vitit 2016, pikërisht atëherë kur skuadrën e kishte marrë për ta drejtuar Armando Cungu. Vlonjati atëherë 20 vjeçar qëndroi në provë për 3-4 ditë me Vllazninë dhe fundi i saj ka qenë pas një miqësoreje të luajtur ndaj Adës në atë kohë. Trajneri i atëhershëm nuk u bind nga gjendja fizike e tij e cila linte shumë për të dëshiruar dhe në bashkëbisedim me stafin e tij, u ra dakord që të mos mbahej në Shkodër. Vendim i drejtë apo jo?

Në pamje të parë i drejtë sepse Vllaznia kishte në përbërje atë periudhë lojtarë si Kalaja e Çinari që luanin në të njëjtin pozicion dhe askush nuk mund t’ia falte Cungut mbajtjen e Bregut jashtë forme dhe largimin e ndonjërit prej shkodranëve. Në fakt, vendimi për të mos e mbajtur rezultoi negativ me kalimin e kohës sepse vlonjati shkoi tek Luftëtari në kategorinë e parë ku mori formën dhe sot është një nga nga lojtarët më të kërkuar të Superligës.

© shkodrasport.com