Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Altin Rraklli analizon situatën në kombëtaren kuqezi, ku vetë ka qenë bomber i spikatur.
– Bindim ndaj një ekipi të fortë dhe dështojmë në momentin që duhej të tregojmë forcën ndaj një skuadre modeste si Lituania. Përse nuk e marrim dot leksionin te kombëtarja?
– Fillimisht më duhet të them se Bjellorusia është një skuadër modeste, pak a shumë në një nivel me ne. Të themi realitetin, fitorja ndaj saj nuk erdhi duke bindur, por taktikisht ishim mirë, sidomos në pjesën e parë. Skuadra u paraqit në mënyrën e duhur, veçanërisht në mbrojtje, sipas opinionit tim. I shfrytëzuam rastet që erdhën dhe për këtë arsye fituam.
Sa i përket ndeshjes me Lituaninë, ishte e lehtë në letër, por jo me shumë diferenca të mëdha në fushë. E morëm lehtë dhe shumë gabime në mbrojtjen tonë i dhanë hapësirë kundërshtarit. Konfuz në lojën sulmuese dhe të pafat në fund, gjë që solli humbjen. Por, ka të bëjë me karakterin dhe mentalitetin, që ekipin tonë kombëtar e karakterizion prej vitesh ndaj atyre ekipeve që janë “të vogla”.
– Shumë kritika shpërthyen kundër trajnerit Reja pas asaj humbjeje. Si mund të shpjegohet fakti që gabimet trashanike na vijnë prej lojtarëve më të mirë?
– Kam mendim pozitiv për Rejën, sidomos për aspektin motivues dhe takitik. Gabimet që bëhen, sidomos nga lojtarët me eksperiencë, japin energji negative gjatë lojës dhe i përçohen skuadrës, duke ndikuar në rezultat, si në rastin konkret. Por, ky është futbolli, gabimet ndodhin, ndryshe nuk do të kishte gola.
– Altin, çfarë po ndodh me Hysajn? Nuk po bind shumë me nivelin e treguar te Shqipëria…
– Është e vërtetë që Hysaj, me eksperiencën dhe si kapiten i kombëtares, duhet të tregojë më shumë rolin e liderit, sidomos në momente të vështira, kur ndodhet ekipi. Këtë gjë nuk po e bën tani. Pastaj, edhe në aspektin sulmues, që e ka pasur armën më të fortë, me daljet fundore që ka bërë zakonisht, i duhet të angazhohet më tepër.
– Për Strakoshën e ke cekur dikur, gjatë një prononcimi se “e bën si puna e lopës me kovën. Të jep mirë, pastaj e derdh”. Kova u godit paksa edhe me Lituaninë…
– Strakosha ka qenë në nivel të mirë, sipas meje, për këto takime. Ka shpëtuar shumë momente të vështira dhe te goli i Lituanisë nuk kishte përgjegjësi. Doli për t’i kërkuar topin Gjasulës dhe kjo ishte arsyeja e asaj që ndodhi.
– Le të kalojmë pak te sulmi. Reja tha se Balaj qëndroi në shtëpi, pasi nuk ka se çfarë të shohi më prej tij. 7 gola në 7 vite janë statistikat, a po vjen fundi i Bekimit te kombëtarja?
– Balaj, Cikalleshi, Sadiku, Manaj, Uzuni, kemi këta qendërsulmues për momentin. Për mua janë pothuajse i njëjti tip sulmuesi, me të njëjtat karakteristika. Luajnë me shpinë nga porta, por mungon ai alternimi me një sulmues, që loz me fytyrë nga porta dhe sidomos është i shpejtë, që kërkon topat vertikalë, që janë rrezik për kundërshtarin.
Pastaj, a duhet rotacioni me lojtarët e rinj? Ajo është punë intensive dhe i takon stafit që të vëzhgojë të vjetrit dhe më të rinjtë, për të dalë në një përfundim. Gjithmonë, pa u nxituar, pasi ka ndodhur shpesh në kombëtare që janë larguar lojtarë gjoja të vjetër me preteksin e rinovimit, ndërkohë që lojtarët e rinjë nuk iu afroheshin cilësive të tyre.
– Broja, Çekiçi, Selahi, Ismajli, Bare, Uzuni. Si e shihni fytyrën e re të kombëtares dhe a kemi shanse për ta provuar edhe njëherë shijen e Europianit, nëse mësojmë sërish shpirtin e sakrificës?
– Të them të drejtën, pak minuta i kam parë për të dhënë një mendim të saktë për të ardhmen e tyre në kombëtare. Duhet t’iu lëmë kohën e duhur dhe të shohim si do ët alternohen dhe zhvillohen në skuadrat ku luajnë. Duan kohën e tyre, le t’i tregojnë cilësitë në ekipet ku bëjnë pjesë. Për Europianin? Besoj se duhet të presim edhe ca kohë…/sport-ekspres/