Rrapo Taho replikon me ish-shefin e sektorit të garave në FSHF, Besnik Çela, për historinë e sezonit 1996-1997, ku Tirana fitoi titullin duke parakaluar Flamurtarin rival pas ndërprerjes së kampionatit në muajin mars, teksa ishin luajtur 17 javë. Në një bisedë për “Panorama Sport”, Taho flet si ish-pjestar i stafit teknik të vlonjatëve në vitin 1997.
REPLIKA
“Nëse Besnik Çela e ka videon e finales së Kupës, Tirana-Flamurtari, në qershor të vitit 1996, ta shikoj se si është bërë goli kundër nesh, gjithçka merr fund. Ishte një gol i bërë me dorë nga Malko ose Dede, nuk jam i sigurtë. Gjyqtar në atë ndeshje ka qenë i ndjeri Luan Zylfo. Besnik Çela i di shumë mirë gjërat. Flamurtari atëherë kishte ekipin më të mirë.
Besnik cela
Besniku na ka dashur dhe unë kam shumë respekt për të dhe e kam mik. Por, i them që nëse ka mundësi ta shikoj edhe një herë nëse e ka kasetën që ajo ndeshje është marrë padrejtësisht. Drejtuesit e Federatës në atë kohë kanë qenë kundër Flamurtarit. Nga viti 1985 deri në 1991 që ne kemi qenë kampion, kemi hequr në kurriz shumë gjëra. Duke filluar nga sezoni 1991-1992 kemi patur një grup të plotë lojtarësh, me emra si Geri Çipi, Ervin Skela, Devi Muka, Ervin Mëhilli etj.
Deri në vitin 1997 kemi qenë një super-Flamurtar. Trajneri ishte Bejkush Birçe, por kemi patur edhe Leonard Perloshin e Alban Bushin në skuadër. Madje Albani ka bërë namin atëherë kundër gjyqtarit Zylfo, edhe pse ishte përballë Tirana e tij. Dukej gjithçka e qëllimshme. Tirana e mori padrejtësisht atë ndeshje. Ai vit ishte edhe i fundit i karrierës sime si futbollist dhe më vjen shumë keq për atë që ndodhi.
Atëherë nuk ishte prishur ekipi. Faza e dytë nuk u zhvillua. Fazën e parë e kishte Bejkush Birçe skuadrën dhe më pas e mori Leonidha Curri për pak kohë. Më vonë e morëm ne, pra unë me Latif Gjondedën. Besnik Çela të mos ngatërrojë vitin 1997 me vitin 1998. Ne atëherë kishim një grup shumë të mirë lojtarësh, na financonte Shkëlqim Selami dhe firma ‘Kamberi’. Na jepnin edhe premio. Arritëm deri në finale të Kupës së Shqipërisë dhe e humbëm. Tirana ishte më e privilegjuar se ne”, ka thënë fillimisht Taho.
PRESIONET
Ish-mbrojtësi i Flamurtarit tregon edhe anët e errëta të atyre viteve, ku mbizotëronin kërcënimet dhe presionet e vazhdueshme, në mënyrë që skuadra vlonjate të mos fitonte. “Presionet shumë të mëdha për ne kanë qenë edhe nga policia. Na thoshnin që nuk e marrim dot përsipër ndeshjen, kështu që ta fitojë Lushnja. Kur luajtëm në Lushnjë, edhe nga Federata, edhe shefi i policisë në atë kohë, na thanë ta fitojë Lushnja këtë ndeshje.
Ne kemi ikur nga ferrat…. Bëhet fjalë për sezonin 1994-1995. Fusha shumë të vështira ishin edhe në Berat, Laç, Shkodër dhe Peqin. Deri në vitin 1997 kishim një grup shumë të mirë lojtarësh. Neve na u tërhoqën futbollistët më të mirë pas trazirave në mars dhe e fituan ata kampionatin (i referohet Tiranës).
E bënë si e bënë, por mos harroni që duhet ta fitonim ne atë sezon, pikërisht 1996-1997. Gjyqtarët ishin të njëaanshëm, nuk na kanë dhënë hakun. Më vjen keq, pasi ne kemi qenë fukarenj në atë kohë dhe bosat bënin si donin. Në vitin 1996 na e mohuan Kupën me një gol me dorë, ndërsa në vitin 1997 përfundoi në Tiranë kampionati, siç e kishin planifikuar ata dhe Tirana u shpall kampione. Në atë kohë duhet ta merrnim ne kampionatin, por klubi u shpërbë, na ikën edhe drejtuesit”, përfundoi lojtari legjendar i Flamurtarit të viteve ’80, duke theksuar edhe një herë se skuadra vlonjate është vjedhur në vitet 1996-1997.