Një nga volejbollistët më të mirë të Shqipërisë, Ditmir Rrashketa, prej disa ditësh është bashkuar në stërvitje me ekipin e Vllaznisë. Siç dihet ky sportist prej disa vitesh luan me Studentin me të cilin ka fituar shumë tituj kampion, të fundit vetëm para pak javësh dhe ka treguar me lojën e tij se është pjesë e rëndësishme e këtij ekipi kampion. Prania e tij në stërvitje me ekipin shkodran natyrisht që të lë shpresa se ai mund t’i bashkohet Vllaznisë për sezonin e ri, çka do të ishte një lajm shumë i mirë për trajnerin Artan Kalaja por në fakt nuk do të ndodhë kështu.
Rrashketa vetëm është duke u stërvitur me kuqeblutë gjatë kësaj periudhe kur nuk ka ndeshje dhe ai ndodhet pranë familjes së tij në Shkodër. Edhe në fillimin e sezonit të kaluar pati zëra se ai mund të kthehej tek skuadra ku e filloi karrierën e tij por nuk ndodhi kështu. Mbase mund të ndodhë për sezonin e ri por për momentin, ai vetëm është duke u stërvitur me Vllazninë. Mosafrimi i ndonjë sponsori pranë saj, kuptohet që nuk lë vend për të tilla përforcime por kurrë nuk mund të thuash kurrë dhe deri pas dy apo tre muajsh, gjërat mund të ndryshojnë.
© shkodrasport.com