Mesfushori i Vllaznisë, Erald Çinari, mori një surprizë të bukur ditën e sotme.
Lojtari mori telefonatë paradite nga Kombëtarja e Shpresave, pasi trajneri Alban Bushi e grumbulloi për ndeshjen kundër Sllovakisë.
Largimi i Keidi Bares te Kombëtarja A bëri që shkodrani të grumbullohej nga Shqipëria U-21.
Lojtari rrëfen emocionet e tij për ftesën me Kombëtaren U-21. Në një rrëfim për Eduasportin.com, shkodrani flet në lidhje me ftesën nga trajneri Alban Bushi.
“Më morën sot në mëngjes në telefon dhe më ftuan për të qenë pjesë e Shpresave. Pranova me kënaqësi, pasi është nder të përfaqësoj vendin tim. Kam patur një shkëputje nga moshat e Kombëtares, pasi nuk jam grumbulluar rregullisht.
Besoj që do të bind trajnerin të më ketë më shumë parasysh”.
Çinari flet dhe për konkurrencën që do të gjejë në ekipin e Shpresave. “Kam vite që luaj në kampionatin shqiptar dhe te Vllaznia.
Konkurrenca të bën mirë, por nuk të tremb, pasi të bën të japësh më shumë nga vetja dhe të jesh gjithmonë duke u munduar të bësh maksimumin. Nuk kam shumë kohë, por besoj se mund të bind Bushin”.
21-vjeçari flet dhe për gjendjen e Vllaznisë dhe momentin negativ që po kalon skuadra kuqeblu.
“E dimë se jemi në një situatë të vështirë, por besoj te ky grup lojtarësh. Kemi forcë dhe me stërvitjet e vazhdueshme dhe me përkrahjen e të gjithëve do t’ia dalim mbanë sërish.
Jam i sigurt se skuadra do të marrë pikë në vazhdim dhe do të sigurojë qëndrimin në Superiore.
Shkodranët meritojnë një ekip më të fortë dhe shpresojmë se Vllaznia t’u dhurojë më shumë tifozëve në sezonin tjetër.
Unë do të jap maksimumin që të ndihmojë Vllazninë të qëndrojë në Superiore. Ndeshja me Skënderbeun është e vështirë, por besoj se do të marrim rezultat”, – përfundon Erald Çinari. /EDS