Prej pak ditësh ka nisur punën sërish si trajner. Këtë herë me ekipin e femrave të volejbollit të Vllaznisë.

Mark Kroqi e ka nisur sërish punën me të njëjtin pasion siç drejtoi sezonin e kaluar edhe ekipin e meshkujve, të cilin madje e shpalli kampion.

Ish- volejbollisti i njohur i Vllaznisë i kombëtares shqiptare, nuk mund të qëndronte larg këtij sporti.

Po, pse mori përsipër drejtimin e ekipit të femrave? Përgjigja e tij është kjo: “E mora përsipër sepse mendoj se mund të bëj diçka me këtë grup vajzash të talentuara që janë pjesë e këtij ekipi.

Janë vajza 16, 17, 18, 19 dhe 20 vjeçare të cilat kanë tashmë një përvojë por që mund të perfeksionohen sërish dhe mund të arrihet diçka me to.

Padyshim që meritën për këtë çfarë kanë arritur këto vajza gjatë këtyre viteve dhe deri më tani, kanë të gjithë trajnerët që kanë punuar me to.

Që nga Bardeli, ndjera Kaçorri, Mikopli, Gjelaj dhe veçanërisht nga trajnerja e mëparshme Sadije Goga që ka një meritë të jashtëzakonshme për atë çfarë është arritur deri më tani.

Unë mendoj se ky ekip mund të shkojë edhe më lart. Ka diçka për të përmirësuar në aspektin teknik dhe duke e rregulluar edhe atë, ju siguroj se Vllaznia do ta thotë fjalën e saj.

Mbi të gjitha për të mbushur shkallët e pallatit të sportit me tifozë, që në fakt, me volejbollin shumë të afërt”.

Por, a mund të shpallet kampion edhe ky ekip? Trajneri Kroqi mendon se jo kaq shpejt prandaj shton: “Brenda 2-3 vitesh këtë ekip keni për ta parë në nivele të larta.

Thjesht këtyre sportisteve u duhet edhe pak më shumë përvojë dhe pastaj do ta tregojnë veten”.
© shkodrasport.com