llaznia la të lirë Alen Sherrin në verën e vitit të kaluar dhe u duk si një vendim jo i drejtë heqja dorë nga një portier i talentuar. Në Shkodër mbërriti Bojan Zogoviç, një 31-vjeçar malazez me përvojë të madhe në kampionatin serb dhe azerbajxhanas.
Ka pësuar 9 gola deri më tani, duke qenë portieri i dytë më i mirë i kampionatit, por ndeshja e fundit me Partizanin ishte shumë e veçantë për Zogoviçin. Në dy raste e shpëtoi balta e më pas puthi topin. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, portieri tregon momentin pikant në sfidën ndaj të kuqve dhe sekretin e suksesit të Vllaznisë.
Bojan, Vllaznia nuk u thye as ndaj rivalit direkt, Partizanit. Sa i rëndësishëm ishte për ju ky barazim?
Një pikë kundër Partizanit do të thotë shumë besim për ne. Partizani është një ekip i mirë, por ne treguam që kemi karakter. Gjithashtu, kemi treguar se kemi cilësi në lojën tonë. Mendoj se ishte një pikë me shumë vlera për vazhdimësinë në kampionat.
U cilësuat si heroi i takimit, në një kohë që këtë herë ju dha një dorë edhe balta e krijuar në zonën e portierit…
Nuk mund ta fsheh kënaqësinë se ishte një ndeshje e mirë për mua. Kam punuar fort, së bashku me shokët e ekipit, që janë një ndihmë e madhe për mua në çdo moment.
Unë gjykoj se e bëmë mirë punën tonë, por gjithashtu e pranoj se edhe balta na ndihmoi në një situatë të tillë. Jam këtu për të ndihmuar ekipin dhe për t’i bërë ata të ndihen të sigurt me mua në portë. Puthët topin pasi e kapët topin me dy duar në një prej rasteve për gol ndaj Partizanit.
Pse e bëtë atë veprim?
(Qesh) Unë e puth topin shpesh, sepse kam respekt për të dhe sidomos në atë takim me Partizanin, ku pata më shumë respekt se çdo herë.
Nga 17 ndeshje që keni zhvilluar deri më tani në kampionat, në 11 prej tyre nuk keni pësuar gol. Besoni se nuk do të thyheni as kundër Laçit?
Shpresoj që të vazhdojmë me lojëra të mira dhe të mos pësojmë gol. Ky kampionat është i vështirë dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që ne të mbajmë zero pësimin e golave për aq kohë sa të jetë e mundur. Kjo nuk është vetëm meritë imja, por e gjithë ekipit. Të gjithë mbrojmë portën, por edhe të gjithë shënojmë. Në disa ndeshje ka pasur kritika për ju, veçanërisht për daljet nga porta, që janë kthyer në gol nga kundërshtari.
Megjithatë, trajneri Brdariç sërish ka shprehur besim te ju… Pozicioni im është i tillë që çdo gabim mund të shihet me një tjetër sy dhe natyrisht mund të lërë pasoja. Por, unë gjithmonë shoh përpara. Punoj shumë në stërvitje dhe pastaj ju mund të shihni rezultatin. Trajneri Brdariç beson tek unë, ashtu si edhe trajneri i portierëve, Ideal Lekiqi. Kjo është shumë e rëndësishme për mua, sepse ata më japin besim dhe unë besoj se po e justifikoj me paraqitjen në fushë.
Një Vllazni që shënon më shumë se të gjithë dhe pëson gjithashtu më pak. Cili mendoni se është sekreti i kësaj skuadre deri më tani?
Ne jemi një grup i madh dhe i mirë lojtarësh. Nuk do të veçoja askënd, sepse të gjithë kanë rolin e tyre në ekip dhe po e bëjnë detyrën në më të mirën e mundshme. Ne nuk kemi yje të mëdhenj, por një grup të mirë futbollistësh, të cilët natyrisht që janë cilësorë.
Si është të punosh me një trajner gjerman?
Brdariç është një motivues i shkëlqyer. Ne punojmë fuqishëm dhe me cilësi me Tomasin. Ai merr më shumë se maksimumi nga çdo lojtar. Kemi respekt të madh për të dhe mbi të gjitha ka një komunikim të shkëlqyeshëm. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se ne luajmë ndryshe nga të gjitha ekipet e tjera.
Të premten luani ndaj Laçit. Pas dy barazimeve radhazi, prisni një fitore në Shkodër apo edhe një pikë nuk do të ishte dramë?
Siç e thashë më lart, kampionati është i vështirë dhe çdo pikë vlen. Besoj se do të tregojmë fytyrën dhe karakterin e duhur, me synimin për të vazhduar me rezultate pozitive. Laçi është një ekip i mirë, por mendoj se jemi gati të fitojmë këtë takim.
Jeni 9 pikë larg Partizanit pas 17 ndeshjesh, sa shanse ka Vllaznia të fitojë titullin në fund të këtij sezoni?
Kjo është një përparësi e madhe, por kemi edhe 19 ndeshje të tjera për të luajtur dhe sigurisht që nuk do të relaksohemi. Partizani, Laçi, Teuta e ndonjë tjetër do të përpiqen të na arrijnë. Do të përgatitemi seriozisht për çdo ndeshje dhe do të vazhdojmë kështu pa presion.