Rasti i rrallë në futboll, portieri shkodran që nuk ruan vetëm portat, por shpëton edhe jetë njerëzish. Bëhet fjalë për Eldi Hasanin, që deri në fund të sezonit të shkuar ka qenë pjesë e skuadrës së Vllaznisë në Kategorinë e Parë. Hasani ka luajtur edhe me ekipin B, ndërsa ai ka edhe një profesion të dytë.

Sot, ai ka bërë një gjest që do të mbahet mend, jo vetëm nga shokët e tij, por edhe në jetën e tij, pasi ka shpëtuar një turiste që ka qenë duke u mbytur në plazhin e Velipojës.

Në një intervistë për “VipSport”, portieri Eldi Hasani që punon në subjektet private si vrojtues, në një rrëfim të pazakontë tregon punën e përditshme….

-Eldi, ishim mësuar të shohim në portë, ndërsa këtë verë nga dita e sotme e në vijim do t’iu njohim si shpëtimtar turistësh…

Në fakt unë e dashuroj futbollin, por në verë, duke qenë se jemi pushim unë jam punësuar si vrojtues nga subjekte private në plazhin e Velipojës. Ndoshta mund të duket e habitshme, por duhet që të mbajmë veten dhe shpenzimet tona. Sa i përket rastit të sotëm ka qenë më i vështirë se ditët e tjera…

-Pse e thoni këtë, ndodh që përditë ka ngjarje të atilla?

Ka ngjarje, por kjo e sotmja, realisht ka qenë shumë e rrezikshme. Deti kishte dallgë, dhe u përplas nga dallga dhe nuk po reagonte. Ndërsa herët e tjera, rastet kanë qenë disi më të lehta…

-Si është të jesh vrojtues në plazhe, ndërkohë që vjet keni qenë portier në radhët e Vllaznisë?

Çdo ditë përballemi me situata, madje unë kam edhe një video tjetër në një rast të rrezikshëm. Në fakt ne jemi si grup sportistësh dhe ish-sportistë që jemi të punësuar nga subjektet. Velipoja në këtë aspekt mendoj se është e sigurt, sepse ne i bëjmë “sytë katër” ku ka situata.

-Eldi Hasani tashmë nuk do të mbahet më si portier i Vllaznisë, por si shpëtues turistësh…

Të them të drejtën e dashuroj futbollin dhe besoj se shumë shpejt do të kem ekipin tim të ri. Kontrata me Vllazninë ka përfunduar. Sot, kam marrë mesazhe urimi nga shumë miq e shok, e madje ndihem shumë mirë kur vlerësohem. Në fund të fundit jemi njerëz dhe mbi të gjitha për shkak apo jo të detyrës duhet që të jemi human…!vipsport