Stefan De Vraj mund të konsiderohet tashmë një prej senatorëve të skuadrës së Interit. Ai thotë se të veshësh këtë fanellë është gjithmonë një nder i madh. “Kemi shumë përgjegjësi kur e veshim këtë fanellë. Në vitet e fundit kemi fituar shumë trofe dhe duam të vazhdojmë kështu.

Është shumë mirë që jemi një grup lojtarësh dhe duam të arrijmë të njëjtat objektiva. Personalisht mendoj se trajneri ka qenë shumë i rëndësishëm. Unë kam punuar gjithmonë shumë dhe përmirësimi është i dukshëm. Futbolli më ka dhuruar shumë emocione, shumë trofe dhe më ka mësuar si të reagoj në momentet e vështira”, ka thënë fillimisht Stefan De Vraj.

Ai flet gjithashtu edhe për raportin me tifozët dhe pasionin për këtë lojë. “Ma ka transmetuar im atë. Të luash futboll për mua do të thotë që të përfaqësoj kaq shumë tifozë dhe ata të Interit janë të jashtëzakonshëm. Titulli i yllit të dytë ka qenë një mbrëmje speciale. Ishte një rrugëtim i bukur dhe kishim shumë emocione. Ishte një sukses i të gjithë skuadrës”, shtoi më tej holandezi.

Ai foli edhe për një sfidë të mundshme me një prej sulmuesve të së shkuarës. “Të gjithë sulmuesit që kemi në dispozicion janë të fortë dhe të ndryshëm nga ata të mëparshmit. Ky klub ka qenë i mbushur me kampionë në të shkuarën. Do të më pëlqente që të sfidoja më shumë nga të gjitha Ronaldon”, përfundoi ai.