Bejkush Birçe e mbylli karrierën si trajner i Teutës pas ndeshjeve Europiane në mesin e viteve ’90, kur thotë se “nuk pashë më futboll, por tregti në fushë!”

Suksesi i Skënderbeut, i ndëshkuar rëndë nga UEFA, dhe dështimi i të gjitha ekipeve të tjera është një fakt që nuk lidhet me as me formatin e ndryshuar të UEFA-s dhe as me ndryshimet pas ‘90

Futbolli shqiptar, në tërë historinë e tij, ka pasur uljet-ngritjet e tij ashtu siç ndodh me çdo vend tjetër në Europë. Si shembull, klubet holandeze nuk po arrijnë dot të fitojnë më trofeun e Ligës së Kampionëve pas ’94, kur Ajaksi e ngriti për herë të katërt e të fundit atë. As klubet e ish-Jugosllavisë, të Rumanisë apo Greqisë, nuk arrijnë dot në majat më të larta të Europës, që të pretendojnë trofeun si dikur.

Me ndryshimin e formatit nga UEFA që lejoi në dy dekadat e fundit katër klube nga katër ligat më të forta në Champions, si dhe rregullores që një skuadër të mos kufizohet në pranimin e lojtarëve të huaj (tre lejoheshin më parë), kjo u dha mundësi ekipeve të katër ligave më të mëdha si në Spanjë, Angli, Itali, apo Gjermani që të krijojnë një diferencë të madhe karshi të gjitha ligave e ekipeve të vendeve të tjera, për të dominuar Champions dhe Europa League.

Por pas ndryshimeve politike, dështimi i ekipeve shqiptare në arenën ndërkombëtare, pse nuk mund të justifikohet me ndryshmet e formatit nga UEFA, në dy dekadat e fundit?! Bejkush Birçe, në një rrëfim special për gazetën mbi karrierën e tij si trajner i suksesshëm i ekipeve elitare të vendit dhe po ashtu i Kombëtares, e mbylli karrierën si trajner i Teutës, në mesin e viteve ’90.

Ai theksoi për “Albanian Free Press” se e mbylli karrierën kur nisi një epokë tjetër e ekipeve shqiptare, në Kupat e Europës. “Pas një fitoreje 1-0 jashtë fushës sonë, ne e humbim ndeshjen e kthimit në fushën tonë, nuk më kujtohet 2 apo 3-0. Kuptova se nuk u zhvillua një ndeshje futbolli, por u bë tregti,” thotë ai shkurt mbi momentin kur më pas vendosi të mbyllte karrierën e gjatë si trajner.

“Albanian Free Press”, mbi ecurinë e skuadrave tona në Europë, gjatë dy dekadat e fundit, zbulon se deklarata e Birçes përputhet me rezultatet dhe ecurinë zhgënjyese që kanë pasur ekipet shqiptare në Europë.

Dështimet

Dështimi është pjesë shoqëruese e të gjitha ekipeve shqiptare, pjesëmarrëse në Europë, gjatë viteve të tranzicionit. Bën një përjashtim ekipi korçar i Skënderbeu, që pasi dominoi plot 10 vjet kampionatin tonë, shkoi dy herë deri në fazën e grupeve të Europa League. Por fatkeqësisht edhe i vetmi sukses për klubet shqiptare u shoqërua me përjashtimin “shembullor” 10-vjeçar të ekipit korçar nga Kupat e Europës, si dhe me një gjobë prej 1 milion euro.

Dënimin UEFA e motivoi me fiksimin e rezultatit të ndeshjeve, me qëllim përfitimet e paligjshme nga kompanitë e basteve. Skënderbeu aktualisht është në pritje të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, për këtë çështje, si e vetmja shpresë që skuadra korçare të mbetet në elitën e futbollit shqiptar.

Një akuzë të ngjashme ka shoqëruar pak ditë më parë edhe Luftëtarin e Gjirokastrës, pas pjesëmarrjes së parë dhe historike në Europa League, ku u detyrua të largohet pas dy rezultateve zhgënjyese, që për UEFA-n rezultatet ishin të dyshimta. Paradoks është fakti se skuadra më e suksesshme shqiptare në Kupat e Europës, në 25 edicionet e fundit, ka marrë dënimin më të rëndë nga UEFA.

Në fund të viteve ’80 ishte dënuar pesë vjet edhe Partizani, pas përballjeve historike me Benfikën, por për shkak të incidenteve në një ndeshje në Lisbonë. Ajo që evidentohet lehtë nga pjesëmarrjet e skuadrave kryesore shqiptare në Kupat e Europës, është dështimi i tyre total gjatë viteve të tranzicionit.

Edhe pse në dy dekadat e fundit formati i UEFA-s në Champions dhe Europa League u jep më shumë shanse për të pasur sukses ekipeve nga vende të vogla, që të arrijnë të paktën në fazën e grupeve, duke shmangur në raundet kualifikuese ekipet e ligave kryesore në Europë, dështimi i klubeve shqiptare është një fakt i trishtueshëm.

Partizani

Partizani, për fitoret historike me Torinon në fund të viteve ’60, me Celtic në fund të viteve ’70 dhe Austrinë e Vjenës dy vjet më vonë, apo barazimeve me Malmoe e Fejnordin në mesin dhe fundin e viteve ’80, ndonëse eliminohet në ndeshjet e kthimit, nuk shënon më suksese të tjera të ngjashme, prandaj vlerësohet edhe sot për paraqitjet dinjitoze të atyre viteve, sikurse kujtohet me nostalgji edhe nga tifozët.

Pas viteve ’90, Partizani konkurron shumë më shpesh në Europë dhe vihet përballë skuadrave jo me peshën e dikurshme, kjo për faktin se ndryshimi i formatit të Kupave të Europës krijoi raundet para-kualifikuese, çka shmangte përballjet e ekipeve tona me ekipet e tjera të forta të kontinentit. Në sezonin 2004-05, Partizani përballet me Birkirkara të Maltës, ku humb 1-2 jashtë dhe fiton 4-2 në Tiranë.

Kur ky rezultat fiksohet në rreth 20 minuta para përfundimit të këtij takimi, ndërrohet tre futbollistë të huaj, kryesisht sulmuesit, tek ekipi kryeqytetas. Pati aludime se ata, duke mos qenë në dijeni, mund të shënonin një gol dhe rrezikonin përfundimin e takimit me rezultatin e dëshiruar, 4-2. Përballë Hapoel Bnei Sakhnin të Izraelit, Partizani humb me rezultatin e përgjithshëm 6-1.

Në dy përballjet e fundit të Kupave të Europës, Partizani humbet me Botev Plovdiv, 0-1, 1-3, dhe në edicionin aktual eliminohet nga Maribor, 0-1 dhe 0-3. Në 25 vitet e fundit, ndonëse ka pasur kundërshtarë shumë më të lehtë në letër, rezultatet dhe udhëtimi i të kuqve ka qenë zhgënjyes. Por ky zhgënjim nuk është se i përket vetëm Partizanit.

Dështimi dhe zhgënjimi është pjesë e të gjitha ekipeve shqiptare pjesëmarrëse në Europë, që në fund të çdo kampionati kanë sukses thjesht pjesëmarrjen, kjo me qëllim për shpërblimet e UEFA-s, pa llogaritur dyshimet e ngritura nga UEFA e mediat e huaja, për përfitime që klubet shqiptare sigurojnë nga bastet.

Teuta

Teuta e Durrësit, pjesëmarrjet në Kupat e Europës, i ka pasur pas viteve ’90. Spikat përballja e saj me Parmën në vitin 1995, kohë kur Teuta doli për herë të parë kampione e Shqipërisë. Ndonëse i humbi të dyja takimet ndaj Parmës me të njëjtat shifra, 0-2, pjesëmarrja dhe përballja me një ekip të Seria A, u konsiderua historike.

Por në edicionet e mëtejshme, edhe pse është përballur me skuadra më të dobëta, Teuta eliminohet që në raundin e parë dhe më keq akoma, humbjet e saj kanë qenë të thella e zhgënjyese. Me Dubnica të Bosnjës, 0-0 e 0-4, me Slaven Belupo të Kroacisë, 2-2 dhe 2-6, me Metalurgi Rustavi, 0-3 dhe 1-6, dhe me Dacia të Moldavisë, 3-1 e 0-2. Përveç kundërshtarit kroat, të gjithë ekipet e tjera u përkasin ligave dhe vendeve me një futboll më të dobët se Shqipëria.

Tirana

Në vitin 1970-’71, Tirana përballej me Ajaksin e Amsterdamit, kampion absolut i Europës që ngriti tre herë radhazi Champions League në atë kohë. Barazimi historik 2-2 në Tiranë kujtohet edhe sot me nostalgji, ndonëse bardheblutë eliminohen në ndeshjen tjetër pas humbjes 2-0. Kujtojmë se Ajaksi në fund të edicionit të Ligës së Kampionëve ngriti sërish trofeun Champions.

Formati i asaj kohe nuk parashikonte fazë grupesh dhe një ekip shqiptar mund të ndeshej që në raundin e parë kampionia në fuqi e Europës. Ndryshe nga sot, ku skuadrat shqiptare mund të përballen vetëm në fazën e grupeve me ekipet më të mira në Europë, fazë të cilën nuk e kanë arritur asnjëherë.

Për ilustrim krahasimi mund të bëhet me një përballje të mundshme, gjatë sezonit të kaluar, mes Real Madrid dhe Skënderbeut. Tirana disa vite më vonë fitoi 1-0 me Dinamon e Bukureshtit në kryeqytetin shqiptar dhe eliminohet pas humbjes 2-1 në transfertë. Pas ’90, historia përsëritet.

Edhe pse ka luajtur deri pak sezone më parë pothuajse në edicion në Kupat e Europës, Tirana nuk ka shënuar thuajse asnjë rezultat për të mbetur në histori. Rezultatet e saj të fundit në Europë janë ato ndaj Utrecht, 1-1 dhe 0-4, ndaj Spartak Trnava 0-0 e 1-3, kualifikimi i vetëm ndaj një ekipi luksemburgas dhe më pas eliminimi nga ekipi norvegjez Alesund, 1-1 e 0-5. Pjesëmarrja e fundit e Tiranës në Kupat e Europës shënon përballjet me Maccabi Tel Aviv të Izraelit: 0-3 e 0-2. Humbja më e thellë e Tiranës në Kupat e Europës është ajo e vitit 1996, ndaj ekipit kroat të Dinamos së Zagrebit, 2-6.

Flamurtari

Flamurtari në edicionin 1986–87 kaloi ekipin finlandez të HJK dhe u përball me Barcelonën në raundin tjetër. Barazimet (1-1) në Vlorë dhe (0-0) në “Kamp Nou” i ndërpresin udhëtimin ekipin vlonjat, për më tej në Kupat UEFA, vetëm sepse Barcelona e emrave të mëdhenj në Europë kishte shënuar një gol në fushë kundërshtare. Historia përsëritet një vit më vonë.

Flamurtari eliminon ekipin më të mirë të ish-Jugosllavisë, Partizanin e Beogradit (2-0), (1-2) dhe madje kalon edhe Aue të Gjermanisë Lindore, në raundin tjetër (2-0), (0-1). Sërish përballë Barcelonës, pavarësisht se nuk arrin dot në çerekfinale të Kupës UEFA, arritje e paimagjinueshme sot për një skuadër shqiptare, Flamurtari fitoi 1-0 në ndeshjen e parë, që u zhvillua në Vlorë. U eliminua pas humbjes 4-1 në “Kamp Nou”, por duke shkruar me këtë ecuri historinë e klubeve shqiptare në Kupat e Europës.

Vllaznia

Në vitin 1978, kundër Austrisë së Vienës, Vllaznia fitoi 2-0 në “Loro Boriçi”, në një ndeshje të paharrueshme. Austria e Vjenës në atë vit kishte një skuadër shumë më të fortë se sot. Edhe pse humbi 1-4 në ndeshjen e kthimit dhe eliminohet më shumë vështirësi, paraqitja e Vllaznisë, sidomos fitorja në Shkodër, mbahen mend ende nga tifozët shkodranë.

Ndaj ekipeve të ligave më të dobëta se Shqipëria, klubet tona as nuk e diskutonin kualifikimin, siç ndodhte në ’87 me Vllazninë që u ndesh ndaj Sliema Uanderers (Maltë) dhe kualifikohet pas dy fitoreve (2-0) dhe (4-0). Pas viteve ’90, Vllaznia ka konkurruar në Kupat e Europës, shumë herë më tepër, por nuk e ka arritur më ato suksese.

Përveç ndonjë fitoreje apo kualifikimi të rrallë me ekipe të ligave amatore, si Malta apo Irlanda e Veriut, jo me rezultate bindëse, ekipet e të cilave eliminohet që në raundin e parë, pjesë tjetër e historisë së Vllaznisë, mbetet për të ardhur keq. Kundër Rapidit të Vjenës në edicionin 2009-2010, dy humbje me shifrat (0-3) dhe (0-5). Kundër Trabzonspor (2007) dy humbje (04, 0-6). Humbjet në vitin 2009 me Napolin, (0-3) dhe (0-5) duke i krahasuar me të tjerat, mbeten historike.

Dinamo, brezi i artë i viteve ’90, kur ekipin kampion e drejtonte Bejkush Birçe

Dinamo

Dinamo ndeshet me Austrinë e Vjenës në fillim të viteve ’70. Eliminohet pas dy ndeshjeve me rezultatet 0-0 dhe 0-1. Por një nga ekipet më të suksesshme shqiptare para viteve ’90, Dinamo, ka luajtur denjësisht duke mos pësuar humbje edhe me ekipe të tjera të mëdha të kontinentit, si Ajaks, Sporting Lisbonë e Fenerhbaçe.

Në Kupat e Europës, në fund të viteve ’90, Dinamo përballet në dy edicione radhazi me ekipet më të forta të Europës, Dinamon e Bukureshtit (0-1 dhe 0-2) dhe Olimpik Marsejë (0-0 dhe 5-0). Kjo e fundit një sezon vonë fitoi trofeun Champions League, kurse klubet rumune në fund të viteve ’90 arritën në finale të të njëjtit kompeticion.

Klubi legjendar, i dyti me më shumë trofe në vendin tonë, që sot ndodhet në ligat inferiore, në edicionet e fundit të pjesëmarrjeve në Europë, ka shënuar këto rezultate: 2006–07, me SCKA-në e Sofjes 0-1 dhe 1-4, e me radhë me ekipin boshnjak Modrica, (0-2) dhe (1-2), me Lahti (2-0 dhe 1-4) dhe me Sherif Tiraspol (1-0 dhe 1-3). Thjesht rezultate zhgënjyese.

Shqipëria, suksesi i vetëm Skënderbeut në Europa League dhe “njolla” që i vuri UEFA

I vetmi sukses shqiptar përballë një dënimi ekzemplar

Shumë nga ballafaqimet e ekipeve të ekipeve shqiptare në kupat e Europës, janë shoqëruar në mediat e huaja me dyshime për trukim të ndeshjeve, por ky fenomen nuk është shqiptar pasi në 20 vitet e fundit mbi këtë fenomen ka pasur dënime shembullore dhe arrestime në vende të ndryshme dhe me futboll të zhvilluar.

Por ndryshe nga vendet e tjera, dështimi për të avancuar më tej apo për të lënë gjurmë në Europë është ndoshta fenomen shqiptar. Pothuajse të gjitha ekipet e vendeve ballkanike, përjashto ato të Malit të Zi dhe Maqedonisë, sikurse ekipet shqiptare nuk kanë pasur sukses në Europë. Arritja e Skënderbeut, me pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Europës, si suksesi i vetëm, mori një goditje të rëndë nga UEFA, me dënimin 10-vjeçar. Nëse ky dënim nuk do të anulohet nga CAS, pjesëmarrja e klubeve të Shqipërisë në Kupat e Europës mund të konsiderohet një dështim total.