Në Bergamo pakkush e priste Berat Gjimshitin si protagonist në këtë sezon me Atalantën. Në fakt edhe vete mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare i cili kishte bërë gati valixhet dhe po përgatitej për aventurën e radhës, pas dy viteve në udhëtim te Avelino e Benevento.

Mbrojtësi ka treguar në studion e një televizioni lokal në Bergamo se si ai as nuk e mendonte që do të ftohej nga Atalanta në këtë sezon dhe po shihte opsionet për t’iu bashkuar një skuadre tjetër, ndërsa gjendej në shtëpinë e tij në Zyrih.

“Nuk është se më parë më thanë ‘ik’. Pashë që nuk kishte hapësira dhe shkova në një vend ku mund të luaja më shumë. Në 6 muajt e parë këtu bëra vetëm 3 ndeshje që janë pak, është e vështirë pastaj të rrish në maksimum. Ishte e rëndësishme të shkoja në huazim në moshë të re. Kam luajtur te Avelino ku kishte probleme por mbijetuam në javën e fundit. Pastaj zgjodha Beneventon se kur u përballa me ta në Serinë B, më pëlqente mënyra se si luajtën futboll.

Këtë verë isha në shtëpi, po stërvitesha vetëm me një përgatitës atletik në Zyrih. Atalanta kishte filluar fazën përgatitore prej kohësh nga Europa, ndërsa unë isha në shtëpi, prisja çfarë do të ndodhte, prisja të zgjidhja ekipin ku do të shkoja. Pastaj erdhi telefonata e drejtorit që më ftoi në grumbullim.

Isha paksa i çuditur. “Si të vij?!” i thashë. Ishte thuajse e sigurt që do të largohesha, më tha “eja se trajneri do që të kthehesh”. Mora bagazhet e shkova dhe që aty ecën gjërat. Trajneri më tha stërvitu mirë dhe atë po bëj”, tregoi Gjimshiti.

Futbollisti shqiptar më pas ka treguar paksa edhe nga historia e tij e veçantë, pasi djaloshi me prejardhje nga Lugina e Preshevës është rritur në Zyrih. “Flas 6 gjuhë, njërën jo aq mirë. Ndoshta isha pak më mirë në gjuhët e huaja se në gjërat e tjera në shkollë se kemi bërë në Zvicër frëngjisht e anglisht në klasë.

Jam nga Zyrihu dhe atje flitet gjermanisht. Këtu bëra një muaj shkollë në italisht kur erdha. Pastaj është gjuha shqipe”, tha lojtari duke “harruar” ndoshta se me të dashurën e tij serbe flet në serbo-kroatisht që është gjuha e 6 që di.

Italishtja i ka hyrë në punë edhe në ekipin kombëtar. “Aty flasin të gjithë italisht, flitet vetëm italisht me stafin italian. Tani është Panuçi, më parë ishte Tramexani me De Biazin, të gjithë flasin italisht e kuptohet”, tha Gjimshiti i cili foli edhe për zgjedhjen e tij për të veshuri fanellën kuqezi dhe si u inatosën zviceranët me të.

“Kam nënshtetësi të trefishtë. E treta është serbe. Familja ime është e lindur në një vend në Serbi që ka vetëm shqiptarë, pak e vështirë ta shpjegoj. Kemi pasaportat serbe, por jemi shqiptarë. Kur ika nga moshat e Zvicrës te Shqipëria e di që janë mërzitur. Kam bërë të gjitha moshat me ta, është edhe çështje parash.

Janë lojtarë kandidatë të cilët ata i shohin se mund të shkojnë në ekipin A, dhe ata shpenzojnë për ta, u bëjnë 4 teste të veçanta në vit. Unë isha te ai grup, ndaj janë mërzitur kur shkova te Shqipëria”, tregoi Gjimshiti. /vipsport/