Në vitet e fundit, Lacio ka pasur një numër të madh të futbollistëve shqiptarë dhe ky numër është gjithmonë e më shumë në rritje.

Në takimet e fundit, si në Kupë ashtu edhe në kampionat, trajneri Inzagi ka grumbulluar me skuadrën e parë talentin e Shqipërisë U19, Serxho Kalaj i cili është pjesë e të rinjve të Lacios.

Në një rrëfim për ‘VipSport.al’, mbrojtësi i Lacios ka folur në lidhje me grumbullimin e tij të parë, emocionet e këtij grumbullimi apo edhe marrëdhënien që ka me shqiptarët e shumtë në skuadër.

Sa i përket ëndrrës në sirtar, mund të thuhet se Serxho ka ëndrrën e të gjithë shqiptarëve.

Serxho, prej disa ndeshjesh grumbullohesh me ekipin e parë. Çfarë ndjesie të jep?

Të them të drejtën, jam shumë i lumtur për këtë eksperiencë që po kaloj me ekipin e parë.

A e prisje këtë grumbullim?
Jam duke u stërvitur shumë dhe jam stërvitur që ditën e parë që kam ardhur te Lacio sepse është një klub i madh dhe jam shumë krenar që jam pjesë e këtij klubi.

Çfarë marrëdhënie ke me trajnerin Inzagi?
Mister Inzagi më ndihmon shumë në stërvitje dhe unë përpiqem të jap maksimumin në stërvitje.

Çfarë mendon se e ka shtyrë Inzagin të të grumbullojë?
Në fakt nuk e di se çfarë e ka shtyrë trajnerin të më grumbullojë. Këtë e di vetëm ai.

A të ndihmon fakti që si te Primavera ashtu edhe te skuadra A ke shqiptarë?
Në Primavera jemi disa shqiptarë dhe shumë të lidhur me njëri-tjetrin, kurse me skuadrën e parë, që ditën e pare që jam stërvitur, lojtarët shqiptarë më kanë ndihmuar shumë që të ndihem njëri prej tyre.

Me cilin nga shqiptarët ke marrëdhënie më të mirë?
Me të gjithë shqiptarët kam marrëdhënie shumë të mirë, si te Primavera ashtu edhe te ekipi i parë.

Çfarë të ka thënë Tare për të ardhmen?
Tare më flet për t’u përmirësuar e më thotë të stërvitem në maksimum çdo ditë nëse dua që të bëhem futbollist.

Nëse jo Lacio, cila skuadër dëshiron ta fitojë Serinë A?
Unë jam tifoz me Lacion dhe si i tillë dua që vetëm Lacio të jetë skuadra kampione në Itali dhe vetëm ajo ta fitojë kampionatin.

Cili është idhulli yt?
Idhulli im është Kristiano Ronaldo pasi e admiroj dedikimin që ai ka për punën që bën.

Ëndrra në sirtar e Serxhos?
Ëndrra ime e madhe që kam në sirtar, është që të fitoj një ditë një titull me Kombëtaren.

Pas aventurës me Shqipërinë U19, e pret ftesën nga Shpresat U21?
Unë vazhdoj të punoj fort dhe të stërvitem fort çdo ditë. Të tjerat më pas, vijnë vetë. /VipSport/