Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, ka dhënë një intervistë të veçantë për jetën e tij, familjen, karrierën si futbollist e trajner, pasionet dhe dëshirën për titullin kampion në Shkodër.brdaricKëtë rrëfim special ai e ka bërë përballë dy gazetareve të vogla shkodrane, 10-vjeçares Onesa Nikshiqi dhe 13-vjeçares Hea Lohja në “RTSH Shkodra”. Brdariç ka treguar si lindi dashuria për futbollin, aktivizimi me Hanoverin dhe Bajer Leverkusenin deri në finale e Ligës së Kampioneve. Gjermani thotë se çdo natë, pasi fik dritat, ëndërron titullin me Vllazninë. Të pranishëm në këtë rrëfim ishin edhe lojtarët Balaj, Gurishta, Qarri dhe Dodaj.
Trajner, ju keni lindur në Gjermani, ku familja juaj emigroi. Ka qenë e vështirë për prindërit tuaj të ndërtojnë jetën aty dhe pse emigruan?
Kjo ka ndodhur shumë kohë më parë. Jam rritur në Gjermani, pra isha një fëmijë gjerman në atë kohë që po flasim. M’u dha një mundësi të luaj futboll atje dhe jam i lumtur që familja zgjodhi të emigrojë drejt Gjermanisë.
Si ishte fëmijëria juaj, çfarë mund të na zbuloni sot?
Gjithë kohën kemi qëndruar bashkë si familje. Nuk ka rëndësi, nëse je i ri, apo më i rritur, me eksperiencë apo jo. Ne mësojmë çdo ditë nga njëri-tjetri.
Dëshira juaj për futbollin ishte e hershme?
Po, e fillova futbollin në një moshë shumë të hershme të jetës dhe kurrë nuk më la të iki. Jam i varur nga futbolli dhe i apasionuar pas kësaj loje. U detyrova ta ndërpres karrierën nga një dëmtim dhe vazhdova karrierën si një trajner. Është nder i madh për mua të punoj si trajner i Vllaznisë.
Ju vjen keq që nuk jeni sot pjesë e Leverkusenit, që po shkëlqen dhe ku luan ylli shqiptar Xhaka?
Bajer Leverkusen është një skuadër profesioniste. E di Xhakën, është një lojtar shumë i mirë dhe shumë njerëzor. Leverkusen ka qenë një pjesë e bukur e jetës time, por tani jam në Shqipëri dhe i ndjek ndeshjet e tyre. U uroj shumë fat këtë sezon.
Si u bëtë pjesë e Hanoverit dhe më pas Bajer Leverkusenit?
Mora disa çmime me ekipet e të rinjve. Isha një sulmues dhe kam shënuar shumë gola. Kur shënon është gjëja më e mirë, gjithmonë nëse je i aftë ta bësh këtë gjë. Kam luajtur edhe për Gjermaninë, ishin golat që shënova te Hanoveri dhe Leverkuseni që më çuan aty.
Më bëri përshtypje fakti se keni bërë një këngë pak ironike për Oliver Khan dhe dy portierë të tjerë e më pas keni luajtur bashkë në kombëtare. Pse e bëtë këngën dhe si ishin marrëdhëniet tuaja, sepse një video e përplasjes mes jush është shumë e famshme?
Në përmbledhjet e gjithë sezonit mund të shihni atë video dhe ende kur shoh atë moment është shumë për të qeshur. Në atë kohë nuk ishte për të qeshur, sepse ishin ndeshje serioze dhe të dy jemi ndëshkuar me karton të verdhë. Se kush ishte fajtor në atë situatë, ende askush nuk e di, ajo është një histori. Tani unë dhe Kahn kemi një marrëdhënie shumë të mirë.
Me Leverkusenin në Champions ka qenë periudhë “e artë” për ju, apo jo?
Po, ishte një nga sezonet më të mira kur isha pjesë e Leverkusenit dhe shkuam në finalen e Ligës së Kampioneve. Ishim ekipi më i mirë në finale përballë Real Madrid, por fatkeqësisht humbëm. Gjithsesi, të jesh në finale të Ligës së Kampioneve, në atë atmosferë në Gllasgou, është një çmim shumë i madh. Kam një vlerësim të jashtëzakonshëm për këtë kompeticion dhe jam i lumtur që isha pjesë e tij.
Si e pritët lajmin kur ju thanë për herë të parë se do të ishit në kombëtaren e Gjermanisë?
Ti rritesh me ato skuadra që luan dhe asgjë nuk vjen nga qielli për të shkuar në kombëtare. Vjen nga puna jote që ti je aty. Shumë investime, shumë sakrifica, shumë stërvitje, shumë gola. Dhe pastaj një ditë, nëse ke aftësi dhe je i fortë në mendje, gjithçka është e qartë. E di se ku do të shkosh. Dhe një ditë dikush të dërgon një ftesë dhe pastaj luan për ekipin kombëtar dhe jep maksimumin.
Prindërit tuaj, a kanë pasur dëshirë që ju të ishit futbollist, apo kishin ndonjë dëshirë tjetër për profesionin tuaj?
Besoj se familja ime më edukoi shumë mirë dhe ishte vendimi im për të menaxhuar jetën time. Nëse je futbollist, je djalë i ri, i shëndetshëm dhe po ndjek ëndrrat e tua. Besoj se shumica e djemve të rinj duan të bëhen futbollistë profesionistë, por jo të gjithë arrijnë. Kjo është arsyeja pse e vlerësoj që isha një futbollist profesionist.
Kur keni luajtur me Këlnin, pse tifozët ju kanë vënë nofkën “Bambi”? Çfarë do të thotë?
Nuk është e vërtetë, sepse jo çdo gjë në “Wikipedia” është e saktë. Kam shumë nofka. Një nga to është “Tomy”, për shembull. Kam shumë emra, por jo “Bambi”. Bambi është një kafshë, e dini, me këmbë të gjata dhe shumë e ëmbël. Por për mua nuk përshtatet.
Cila është ndeshja më e rëndësishme e jetës tuaj?
Në përgjithësi në futbollin profesionist çdo ndeshje është një betejë. Është një sfidë dhe diçka speciale. Është e jashtëzakonshme të luash për një ekip të madh me shumë fansa, në stadiume plot dhe të kesh këtë adrenalinë. Sigurisht, finalja e Ligës së Kampioneve nuk është diçka që mund ta arrish shpesh. Dhe ndoshta ndeshja e parë me ekipin kombëtar, Gjermania kundër SHBA-ve, ishte speciale.
Në vitin 2020 vendosët të vini në Shkodër, pasi pranuat ofertën për të drejtuar Vllazninë. Kishit qenë më parë në Shkodër, në një qytet që futbollin e ka gjithçka?
Jo. Ishte hera ime e parë për mua në Shqipëri. Nënshkrova një kontratë këtu me kushte dhe rrethana speciale. Dhe, si ta them, klubi ynë ka bërë shumë për t’u rritur, jemi një ekip i bashkuar. Pas një periudhe të shkurtër, kur shkova në Indi dhe Kuvajt, u ktheva, sepse kam mësuar ta dua këtë qytet. Fansat, njerëzit këtu, ndihem shumë mirë, si në shtëpi. Kjo është arsyeja pse ndoshta identifikimi me ta është gjithçka dhe rrethanat janë shumë të mira.
Si ju priti Shkodra në atë kohë, na tregoni historinë se si firmosët me Vllazninë, historinë e vërtetë?
E shpjegova si mbërrita në Shkodër. Alban Xhaferri më telefonoi dhe më pyeti për planet e mia, nëse përputheshin me ato të klubit. U kuptuam me njëri-tjetrin. U takuam në Shkodër dhe kemi rënë dakord shumë shpejt për disa kushte. Tani shpresojmë që kjo marrëdhënie të jetë afatgjatë.
Dua të më thoni 2 gjëra që ju pëlqyen në këtë qytet dhe 2 të tjera që nuk ishin dhe aq mirë mbase?
Gjithmonë të vërtetën. Po. Do ta provoj të flas për të gjithë shkodranët. Shkodra është një qytet shumë i bukur, të gjithë e njohin njëritjetrin. Ndonjëherë është mirë dhe ndonjëherë nuk është mirë që të gjithë e njohin njëri-tjetrin shumë shpejt. Njerëzit këtu janë shumë të dashur dhe mikpritës, të mrekullueshëm. Dhe shumë njerëz që më vizitojnë thonë: ‘Oh, është një qytet shumë i bukur, por pas orës 10:00 të mbrëmjes, është paksa i mërzitshëm dhe shumë shpejt muzika ngadalësohet dhe nuk mund të festojmë pas orës 24:00’. Ndoshta kjo nuk është aq e mirë, por megjithatë gjithçka është në rregull.
Më pas patët një shkëputje dhe më duket se na munguat aq shumë sa nuk qëndruat shumë larg nesh. U rikthyet i vendosur për titullin kampion, është ende objektiv? Unë dhe Hea prej disa vitesh vijmë në stadium, por nuk e kemi shijuar ende titullin, ashtu si brezat e mëparshëm. Do të na gëzoni këtë radhë?
Po. Një pyetje e gjatë me një përgjigje të shkurtër. Ne jemi shumë të vendosur, jemi të qartë në mendjen tonë. E dimë se çfarë duam dhe duam të bëjmë realitet ëndrrat e tifozëve tanë.
Nëse do t’ju pyesim se cilët janë lojtarët që po luajnë më mirë te Vllaznia, a do të na i thoni emra sot?
Dakord. Së pari, i pëlqej të gjithë lojtarët, sepse janë lojtarët e mi dhe ne punojmë çdo ditë bashkë. Kemi disa djem të rinj, si Dodaj, kemi disa djem me përvojë si Balaj, Gurishta, Krymi, për të përmendur disa si shembuj. Tani nuk mund t’i përmend të gjithë lojtarët, por e vlerësoj çdo minutë që jam me ta. Është kënaqësi të jem trajneri i tyre. Nuk bëj diferencime.
Kush është për ju lojtari më i mirë në botë?
Kam luajtur gjatë karrierës me lojtarë shumë të mirë, te Gjermania, apo Bajer Leverkusen. Mendoj se nëse do të fokusohem tek emrat, ndoshta Mesi, Ronaldo, Ronaldinjo në atë kohë, Zidane. Ata janë thuajse të gjithë lojtarë, me të cilët jam përballur. Është shumë bukur të shohësh si luajnë.
Kur dilni në rrugë, çfarë ju thonë më shumë qytetarët në këtë periudhë?
Kam një motor skuter dhe nuk është e lehtë që njerëzit të më kapin kaq kollaj. Është një bisedë e vogël gjithmonë me djemtë, me njerëzit, përreth. Por shoh që pothuajse të gjithë e pëlqejnë Vllazninë në kohën kur fitojmë ndeshjet dhe po ashtu ata vuajnë kur nuk fitojmë. Edhe kjo është një lloj kënaqësie, të kesh këta njerëz që të njohin në qytet, sepse në fillim, kur kam mbërritur këtu, askush nuk më njihte si trajner. Ishte paksa e çuditshme, sepse është normale që kur je një futbollist profesionist ata interesohen më shumë për ty. Por tani, kur kaloj përmes qytetit dhe njerëzit më japin zemrën e ngrohtë dhe e vlerësojnë atë që po bëjmë, ndihem i lumtur.
Të flasim pak për një ditë të zakonshme në Shkodër. Si nis, çfarë bëni gjatë ditës?
Zgjohem në mëngjes dhe pi një kafe. Pastaj mendimet e mia janë për një seancë stërvitore ose për ndeshjet, kështu që nuk e përgatis shpesh mëngjesin. Pothuajse gjithmonë shkoj direkt në stadium. Përgatitem për atë që bëjmë aty, i caktoj detyrat me stafin tim. Dhe pastaj punojmë për ekipin për ta zhvilluar çdo ditë, madje edhe secilin lojtar gjithashtu. Pas stërvitjes shkojmë për drekë. Tani klubi, dhe falënderoj shumë Alban Xhaferrin, ka hapur një restorant të shkëlqyer këtu në stadium. Mund të takohemi këtu, të hamë, të flasim për futbollin, për gjithçka. Disa herë gjatë periudhës së përgatitjeve kemi dy seanca stërvitore dhe disa herë një, varet nga ngarkesa dhe koha. Në mbrëmje ndonjëherë shohim Ligën e Kampioneve, ose ndeshje të tjera futbolli. Pastaj them natën e mirë, i fik dritat dhe ëndërroj për disa tituj kampion me Vllazninë.
Po gatimi a ju pëlqen, u mësuat me ushqimet tona, apo jo?
Po, unë gatuaj. Jeni të surprizuar? Po, ne gatuajmë shpesh me familjen. Kur u ktheva në Shkodër, kam qenë në shtëpi në Gjermani dhe detyra ime e fundit ishte të gatuaja makarona shumë të mira, me pulë, me mish të kuq, spinaq, kërpudha dhe perime. Kështu që hanim bashkë dhe pastaj erdha këtu në Shkodër për të punuar.
Ne kishim dëshirë të kishim në këtë intervistë edhe partneren tuaj, por meqë ishte në Gjermani, le t’i dërgojmë një përshëndetje. A është mbështetje e madhe për ju dhe na thoni pak si e njohët?
Po, jemi të martuar prej 25 vitesh. Është një kohë e gjatë dhe mendoj se është një bashkëjetesë e mirë. Kemi dy fëmijë shumë të mirë, Tim dhe Lance. Mendoj se e gjetëm njëri-tjetrin dhe përpiqemi ta bëjmë jetën tonë të bukur.
Cili është momenti më i vështirë i jetës tuaj dhe më i bukuri?
Po, për të qenë i sinqertë, hapi më i vështirë ishte mbyllja e karrierës si futbollist, për shkak të lëndimit. Lëndimi më dhembi shumë në atë kohë, sepse e doja futbollin. Një ditë nuk mund të luaja më dhe për këtë vuajta. Momenti më i lumtur, mendoj, ishte lindja e djemve të mi.
Çfarë është diçka që i mungon klubit Vllaznia, diçka që do të donit të përmirësohej?
Ne si klub po bëjmë shumë përpjekje për t’u përmirësuar çdo ditë. Ndonjëherë duhet të ketë hapësira për zhvillim. Jam një trajner shumë kërkues, dua çdo ditë maksimumin nga lojtarët e mi. Pra, do të thotë që gjithçka ka nevojë për pak kohë për t’u zhvilluar dhe për të zbatuar kërkesat e mia. Kjo është arsyeja pse ka shumë periudha në futboll. Ne punojmë çdo ditë për të shkuar sa më shpejt të jetë e mundur me hapa përpara.
A jeni i qetë te Vllaznia, apo ka shumë presion këtu në Shkodër, normalisht presion pozitiv?
Mendoj se presioni nuk ekziston. Ky është vetëm presioni për të zbatuar ato që janë të rëndësishme për të fituar ndeshjet. Thjesht duhet të qëndrosh i qetë, të kesh vëmendjen e duhur. Presioni është, e dini, nëse nuk mund të hash siç duhet, sepse nuk ke para për ta bërë atë, nuk di si të mbijetosh në jetë. Nëse je në gjendje të luash në futboll profesionist, presioni duhet të menaxhohet ndryshe. Dhe duhet të kuptosh si të kesh një ekuilibër të mirë. Duhen investime, duhet të punosh fort për të arritur rezultate të mira. Është pak komplekse, të gjithë duhet ta vlerësojmë që punojmë për futbollin..
Tani do të donim një mesazh nga ju për tifozët, por pse jo për të gjithë qytetin…
Duhet të kërkoj që ta shoh, një sekondë. Ja e gjeta: Të dua, të dua, të dua Vllaznia. Të dua Vllaznia, sepse kemi të gjithë ëndrra. Por ne mund ta kalojmë bashkë çdo gjë, me gjithë të mirat e të këqijat dhe duhet të pranojmë performancat e lojtarëve, sepse në të gjithë si skuadër duam të kemi sukses. Dhe duhet gjithashtu t’u japim lojtarëve dhe ekipit hapësirë për zhvillim dhe të besojmë. Të besojmë në rrugën tonë për sukses.
Në këtë bisedë bashkë me ne janë edhe disa prej futbollistëve, si Balaj, Gurishta, Qarri dhe Dodaj. Kush ju mërzit më shumë dhe kush janë ata, me të cilët nuk keni probleme kurrë?
Më bëre një pyetje direkt. Zakonisht vijnë të gjithë herët, por nganjëherë ka raste kur vonohen. Për shembull, janë arsyet familjare, trafiku, shkojnë në xhami disa dhe vonohen për të ardhur. Nuk kam dikë në mendje që më ka bërë të ndihem keq.
Kush vjen i pari në stërvitje dhe kush vjen i fundit?
Shpesh herë i pari që vjen në stërvitje është Gurishta që kam këtu. Ka raste që vjen Amir Kahrimanoviç dhe ai më thërret mua Zlatan. Kemi dy Amir në ekip. Besoj se ai që vjen më shumë i pari, është Gurishta.