Kur thua Vllaznia-Partizani, ndër mend të vijnë emra që kanë lënë gjurmë te të dyja ekipet dhe një mes tyre është pa dyshim edhe Ferid Rragami. Futbollist i shkëlqyer, me histori personale të jashtëzakonshme. Qëllimi i intervistës së “Panorama Sport”, me ish-mesfushorin e shquar ishte një analizë për ndeshjen e djeshme, por befas biseda “rrëshqet” në tema të ndryshme dhe e gjen veten duke folur për Botërorin e vitit 1986, eveniment për të cilin Rragami ka dyshime të forta se iu bë “puç” Kombëtares me urdhër nga lart që të eliminohej, pasi po të kualifikoheshin lojtarët nuk ktheheshin më nga Meksika e largët. Mandej, Rragami rrëfen si e dënuan për arratisjen e Arvid Hoxhës dhe Lulzim Bërshemit më 1987-ën.
Sa ndeshje keni bërë në karrierën tuaj me kombëtaret, i mbani mend?
Me ekipin, në Kupa ballkanike, me kombëtaren e të rinjve, me kombëtaren Shpresa, me ekipin kombëtar janë rreth 60 ndeshje.
Po në total me Vllazninë, Partizanin dhe Shkëndijën, sa ndeshje mund të keni luajtur në karrierën tuaj?
Në vitin 1974-1976 kam luajtur me Shkëndijën. Por, nga ’76-’90 maksimumi mund të mos kem luajtur vetëm në dy ndeshje në të gjitha vitet e aktivitetit tim si futbollist. Kur u arratis Bërshemi me Hoxhën u shkëputa 10 muaj dhe më çuan në Dukagjin.
Pse, çfarë pune kishit me ta?
Isha kapiteni i skuadrës kur ata u arratisën. Konsiderohesha si puna e sekretarit rinisë d.m.th.(qesh). Këtë më duket se e bëri Mehdi Bushati. Pra atë lloj dënimi disi të moderuar. E filloi me mua si kapiten, më pas me zv.trajnerin, trajnerët, doktorët, përgjegjësi i ekipit. Gjeti një mënyrë për të shpërndarë përgjegjësinë sepse gjoja është bërë nami në Shqipëri nga ato dy arratisje. Me thënë drejtën Mehdi Bushati na ndihmoi faktikisht, sepse mund të futeshim të gjithë në burg e nuk dilnim më. Vetëm pas ’90 mund të dilnim. Mehdiu gjeti një formë të tillë dhe i shpëtuam burgut të paktën.
Si u arratis atëherë Bërshemi me Arvid Hoxhën, ju thanë gjë para arratisjes. Biseduat gjë?
Ne kishim luajtur me Vllazninë një ndeshje në Finlandë kundër ekipit të Rovaniemit dhe po ktheheshim tranzit nga Athina. Kur mbërritëm në Greqi, në aeroport, i thashë Bërshemit se unë isha i fundit. Më rastisi të isha i fundit se nuk kisha ndër mend të bëja ndonjë veprim. “E, mor xhaje (se mua në atë periudhë më thërrisnin xhaje), e mor xhaje, si me thanë që nuk do të shihemi më”, më thotë Bërshemi.
Aty ishte sinjali i parë, por nuk kuptova gjë. Më pas mësova se kishin ndërruar dhomat, por nuk e di çfarë kishin bërë. Pastaj kam shkuar me sekretarin e ambasadës, Irakli Koçollari, se erdhi më mori mua me idenë që po marr Feridin që është më i madh në moshë e po shkojmë t’i kërkojmë mos kanë mbetur diku, mos kanë shkuar të pinë ndonjë gotë…
Pastaj lajmëruan sekretarin e ambasadës dhe na informuan se ishin dorëzuar në polici dhe kishin kërkuar strehim politik. Jam takuar me Arvid Hoxhën kur lashë futbollin, kur ai kishte ardhur nga Amerika. Më erdhi në shtëpi dhe më ka kërkuar falje. “S’ka problem i kam thënë, ti e bëre për vete, për familjen tënde. Mos e vrit mendjen”.
Ju a jeni penduar që nuk e tentuat ndonjëherë arratinë në ato kohë të vështira?
Jo, jo. Nuk mund ta bëja dhe për prindërit e mi, vëllezërit. Ishte situata e atillë që unë nuk kisha ç‘të bëja. Më mirë të rrije këtu pranë familjes, sesa të bëje atë punë atëherë. Kemi pasur lidhje të fortë me familjen. 60 vjeç kam ikur prej familjes. Në Tiranë kam ardhur në ’72- shin kam vazhduar shkollën e mjeshtërisë sportive katër vjet. Të lartën nuk ma nxorën, e kam bërë më vonë me korrespondencë.