Luis Enrique ka imponuar një seri me rregulla të reja strikte në ekipin përfaqësues të Spanjës, të cilat ai pretendon të respektohen me rigorozitet, sikurse janë oraret, apo dhe vaktet ushqimore. Por duket se ekziston edhe një rregull që merret më seriozisht seç mendohej, dhe është ai i celularëve.

Është pikërisht celulari që i është ndaluar kontigjentit të Spanjës të përdoren gjatë vakteve ushqimore, në dhomat e zhveshjes, përveçse për foto grupi, por kurrsesi jo për komunikim.

Por sikur kjo të mos mjaftonte ai shpesh herë teston dhe fut në kurth stafin, për të parë nëse i kanë telefonat e ndezur, për t’i gjobitur më pas, sikurse ka dëshmuar edhe vetë presidenti i federatës spanjolle, Luis Rubiales në një intervistë për “Sport”.

Qëllimi i kufizimit të përdorimit të celularëve gjatë momenteve kolektive, synon komunikimin dhe ndërveprimin mes futbollistëve, duke përmirësuar marrëdhëniet mes kontigjentit, përfshirë futbollistët dhe stafin teknik.

“Luis Enrique ka përcaktuar disa rregulla që po zbatohen në mënyrë strikte, madje nëse ndonjëri i shkel ato, detyrohet të paguajë pasojat. Kemi qeshur shumë me rregullin për të mos përdorur telefonat gjatë të ushqyerit, me përjashtimin tim, dhe është shumë gallatë, sepse ndonjëherë Luis Enrique bën provokime me qëllim për të future në kurth viktimat.

Ai bën pyetje me kleçkë, si për shembull: ‘sa është temperatura’, për të parë nëse ndonjëri do të nxjerrë telefonin dhe në atë moment ai thotë: ‘Gjobë!’”, deklaroi Rubiales./telesport/