Bundesliga 2 ka dhuruar dje një nga ngjarjet më të çuditshme të para në këto nivele me një penallti të shkaktuar nga një lojtar i cili kryente nxemjen. Duket e pabesueshme, por ka ndodhur realisht në ndeshjen mes Holshtajn Kiel dhe Bohum.
Në pjesën e parë të ndeshjes, me rezultatin 1-0 për vendasit e Holshtajn, Ganvoula u nis në sulm dhe lëshoi një diagonale që shkoi shumë larg portës. Topi iu drejtua futbollistëve të Holshtajn Kiel që po bënin nxemjen pas portës dhe një prej tyre, Ebervain, ndali sferën me këmbë.
Por nga salla e VAR bënë të ditur se ai kishte prekur topin pa kaluar plotësisht vijën fundore, ndaj duhej të hynte në fuqi rregulli i njeriut të 12 në fushë, duke u bërë lojtar aktiv pa qenë pjesë e ndeshjes. Meqë ndodhte brenda zonës, ai kishte shkaktuar pa dashje penallti kundër skuadrës së tij ndërsa u ndëshkua edhe me karton të verdhë.
Kësisoj, Ganvoula kishte mundësinë që të korrigjonte shënjestrën nga pika e bardhë dhe barazoi shifrat. Për fatin e mirë të Ebervain, Serra shënoi golin e 2-1 për Holshtajn në pjesën e dytë dhe i siguroi tre pikët skuadrës së tij, që rrezikoi fitoren për shkak të këtij rregulli të çuditshëm. /vipsport/