Tek Vllaznia asnjëherë nuk ka qetësi. Edhe atëherë kur gjërat duket se kanë nisur të marrin rrugën e duhur për ndërtimin e një skuadre të fortë, del një prononcim. Trajneri Cungu në një prononcim të para dy ditëve dhe që është bërë publik në media ditëm e sotme është shprehur se futbollistët kanë tre muaj pa u paguar.

Kjo deklaratë e tij ka sjellë jo pak reagim në kampin shkodran por në fakt trajneri e ka thënë saktë. Por edhe klubi në fakt ka të drejtë në pretendimet e tij sepse futbollistët sipas kontratave që kanë patur të nënshkruara, nuk paguhen për muajt qershor dhe korrik, ashtu siç ndodh në të gjitha klubet shqiptare. Për këtë arsye, tek Vllaznia për t’u dhënë është vetëm rroga e muajit maj dhe kjo do kalojë brenda pak ditësh. Këtë e ka bërë të ditur vetë klubi në një sqarim të sotëm kur ka deklaruar: “Në lidhje me disa shkrime të sotme në të përditshmet sportive ku thuhet se skuadra e Vllaznisë ka tre muaj pa u paguar, sqarojmë se pa u likujduar është vetëm rroga e muajit maj, asgjë më shumë. Edhe kjo rrogë, tashmë pas miratimit të një shume financiare nga ana e Këshillit Bashkiak Shkodër në mbledhjen e tij të fundit, pritet t’u kalojë futbollistëve dhe stafit teknik brenda pak ditësh. Sipas udhëzimeve të FSHF-së, tek të gjitha ekipet kontratat janë të nënshkruara për një periudhë gusht- maj, aq sa zgjat sezoni sportiv dhe kështu ka ndodhur edhe tek Vllaznia. Pikërisht për këtë arsye, siç ju kemi informuar që prej fillimit të muajit gusht, drejtuesit e klubit kanë mbyllur thuajse plotësisht rinovimin e kontratavetë reja me të gjithë futbollistët aktualë të ekipit”.
© shkodrasport.com