Shpeshherë kur ka rrokadë trajnerësh tek një skuadër, ndodh që ai i cili vjen të kritikojë punën e pasardhësit apo gjëra të tilla si këto.

Por tek Vllaznia ka ndodhur ndryshe. Mbrëmë, drejtuesit e klubit kanë arritur marrëveshjen me trajnerin e tyre të ri që është Agim Canaj dhe puna e parë që ai ka bërë, ka qenë kontakti me trajnerin e mëparshëm- Hasan Likë.

Një gjë të tillë e ka zbuluar në prononcimin e tij për mediat trajneri i ri i kuqebluve kur është shprehur: “Kam komunikuar dje me Hasan Likën, sepse dje u konkretizua edhe marrëveshja ime me Vllazninë.

Më priti me shumë kënaqësi, folëm gjatë sepse nesër ai niset për Amerikë. Në fakt edhe më përpara kam folur me Hasanin sepse unë e kam mik prej shumë kohësh, që në fillesat tona si futbollistë së pari, e më pas edhe si trajnerë.

Fjala e parë që unë u thashë lojtarëve ishte ajo se asgjë nuk është arritur. Unë marr një punë të lënë në mes nga miku im dhe një trajner shumë i mirë siç është Lika i cili ka bërë një punë të shkëlqyer me këtë ekip dhe duhet ta çojmë deri në fund atë”.
© shkodrasport.com