Lezhjanet ndodhen ne pozita jo te mira ne renditje dhe padyshim qe po bejne çmos qe rifillimi i garës t’i gjejë në formën optimale. Ruben Danaj mendon se skuadra ka ndryshuar shumë në këto ditë stërvitjeje.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi thotë: “Dhjetë javët e para i mbyllëm në një pozicion që nuk e imagjinonim kur nisëm këtë sezon. Gjithsesi, vendi i parafundit që mbajmë në tabelë është realitet për ne, por do ta ndryshojmë gjendjen shumë shpejt.

Tani jemi pushim dhe po e shfrytëzojmë këtë për të rikuperuar energjitë që kemi shpenzuar gjatë rrugës. Shpresoj shumë që kjo periudhë stërvitore do të shfrytëzohet nga ana jonë për të përmirësuar formën tonë tekniko taktike, pa harruar edhe atë fizike.

Ndërprerjen e kampionatit do ta zhvillojmë të alternuar me ndeshje miqësore, që do të na shërbejnë për t’u provuar në ngarkesë të plotë edhe ndaj ndonjë ekipi Superioreje.

Tri ndeshjet e mbetura të fazës së parë duhet t’i shfrytëzojmë me efikasitet maksimal për të marrë maksimumin e pikëve, që do të na nxirrnin realisht nga zona e kuqe për t’u pozicionuar në mesin e tabelës”.