U transferua në merkaton e janarit në kampionatin uzbek të futbollit, duke qenë kështu një lëvizje me të vërtetë surprizë për të gjithë.

Fjala është për Rubin Hebajn, i cili la kampionatin shqiptar ku aktivizohej me Teutën, për të provuar një tjetër aventurë jashtë vendit, në një vend pak të njohur për këtë sport.

Dhe golat duket se tashmë po vijnë për shtatlartin, që luan tashmë në rradhët e Andijan. Në ndeshjen e sotme që ekipi i shkodranit ka zhvilluar kundër Metallurg Bekabad, Hebaj ka qenë protagonist absolut në fitoren 5-0 të skuadrës së tij.

Kjo pasi 24-vjeçari ka arritur të shënojë një tripletë, duke hapur kështu serinë e golave që në minutën e dytë të takimit. Ish-sulmuesi i Vllaznisë ka gjetur sërish rrjetën pas 7 minutash duke sigluar dopietën e tij personale që në pjesën e parë. Por ‘shoë’ personal ka vijuar edhe në pjesën e dytë, ku Hebaj gjen golin e tretë në të 82-tën.

Këto kanë qenë golat e parë të Hebajt në Uzbekistan, ku pas 7 javësh kampionat, Andijan ndodhet në vendin e 9-të të klasifikimit me 9 pikë. Tashmë pritet që Hebaj të vijojë me këtë ritëm ku tashmë ka ardhur zhbllokimi që ai priste.
Endri ÇINARI