Rubin Hebaj është një nga lojtarët më të talentuar që në kampionatin shqiptarë ka lënë gjurmë, ndërsa veshur ka mbajtur fanellat Vllaznisë, Partizanit dhe Teutës. Pikërisht nga kjo e fundit u largua vetëm pak ditë më parë, duke mbyllur kështu aventurën 1-vjeçare me djemtë e detit.

Merkatoja e janari ka sjell shpesh herë surpriza dhe largimi nga Durrësi mund t’i hapë rrugë sulmuesit të kalojë në një kampionat jashtë, në fakt ky është synimi i tij dhe po shqyrton ofertat e mbërritura.

Në një intervistë për “Newsport.al”, 24-vjeçari ka theksuar se Teuta do të bëjë kthesën në pjesën e mbetur të sezonit dhe nuk do të rrezikojë rënien. Ndër të tjera Hebaj do të nënvizonte se këtë sezon ka peng penalltinë e humbur ndaj Laçit, ku kishte në dorë mundësinë t’i dhuronte “djemve të detit” barazimin.

Mes Durrësit, Shkodrës dhe Tiranës, Rubini do të zgjidhte kryeqytetin për kujtimet më të bukura, pasi me fanellën e kuqe arriti të shpallej kampion në kampionatin shqiptar.


-U larguat nga Teuta vetëm pak ditë më parë, mund të na thoni pse?

Largimi im nga Teuta erdhi për arsye se mua më mbaroi kontrata 1-vjeçare që kisha firmosur në janar të vitit të kaluar dhe ne vendosëm të mos rinovonim marrëveshjen.

-Me durrsakët këtë sezon keni shënuar vetëm 1 gol. Çfarë nuk shkoi siç duhet?

Këtë sezon kam shënuar 1 gol, por në aventurën time 1-vjeçare në Durrës kam arritur të realizoj 15 gola dhe kam dhënë 6 asiste. Mendoj se ka qenë një nga periudhat më të mira në karrierë pavarësisht se ekipi nuk ishte pretendent për kampion si para 2 viteve.

-Teuta ndodhet në vendin e fundit. A do qëndrojë në Superligë?

Mendoj se çunat që janë aktualisht aty kanë mjaft kualitet dhe kanë karakterin e duhur për të kthyer situatën në favorin e tyre. Teuta nuk e meriton të jetë në fundin e tabelës dhe besoj se skuadra do bëjë kthesën në pjesën e mbetur të sezonit.


-Cila është ndeshja që ju ka ngelur peng këtë sezon që nuk fituat dot?

Mund të them që penalltia kundër Laçit në minutat e fundit në Durrës, sepse mund t’i dhuroja ekipit 1 pikë shumë të rëndësishme dhe njëkohësisht kundërshtari ynë nuk do të siguronte fitoren.


-Aktualisht jeni një lojtar i lirë. Ku do ta shikojmë Hebajn në pjesën tjetër të sezonit?

Për momentin po stërvitem vetëm dhe po pres të zgjedh një nga ofertat që më kanë ardhur deri tani dhe që do më vijnë në vazhdim.

-Mund të na i specifikoni?

Mund të them se kam oferta nga jashtë vendin në 3-4 kampionate të huaja, por nuk mund të zbuloj dot më shumë për shkak se nuk më lejohet të flas pa u zyrtarizuar çdo gjë. Gjithçka do të merret vesh në ditët në vazhdim.

-Shumë zëra ju lidhin për një kalim te Partizani dhe Vllaznia. Si qëndron e vërteta?

Dëshira ime në fakt në këto momente është të vazhdoj karrierën jashtë Shqipërie dhe nuk janë fokusi im ofertat në kampionatin tonë.


-A do dëshironte Rubini një rikthim në Shkodër?

Në Shkodër çdo shkodran ka dëshirë të luajë pavarësisht çdo gjëje dhe siç e citova më lart për momentin nuk e shikoj veten të luaj sërish në Shqipëri, prandaj nuk e mendoj një rikthim në “Loro Boriçi”.

-Në Durrës, Tiranë apo Shkodër, ku mbani kujtimet më të bukura?

Të them të drejtën në çdo vend që kam luajtur jam ndjerë i vlerësuar nga çdokush dhe kam kaluar shumë mirë. Edhe në Tiranë e Durrës më kanë mirëpritur shumë mirë dhe jam ndjerë si në shtëpinë time. Por mund të veçoj Tiranën sepse fitova titullin kampion me Partizanin, por çdo kujtim kudo që kam luajtur është i veçantë për mua./newport/