Tirana ka humbur me shifrat 1-2 sfidën e sotme kundër Teutës. Superkupa e Shqipërisë shkon në Durrës, ku Teuta feston kështu 100 vjetorin me dy trofe. Madje të dy i ka rrëmbyer përballë Tiranës.
Protagonistet kryesore te ketij suksesi jane serish dy shkodrane. Sulmuesi Hebaj qe i shenoi te dy golat ne porten e Tiranes dhe strategu Edi Martini qe ia ka marre doren bardhebluve.
Goli i parë erdhi nga Rubin Hebaj, që përfitoi nga gabimi i pafalshëm i veteranit Ilion Lika. Gardiani bardheblu do të shlyente gafën më vonë duke pritur një penallti, por Rubin Hebaj gjendet sërish aty për të përfituar dhe i dyfishon shifrat.
Pjesa e parë ishte për t’u harruar për Tiranën. U desh që Teuta të mbetej me 10 lojtarë pas daljes së Arapit me të kuq në minutën e 64-t në mënyrë që bardheblutë të ngulmonin më tepër përpara. Megjithatë goli ka ardhur vetëm në minutën e 75-të, kur Jurgen Vrapi finalizon një aksion model me një top në trekëndësh.
Por ndeshja nuk ka më histori dhe Teuta prek trofeun e Superkupës. Kjo është hera e 3-të që Martini ia del të triumfojë përballë kryeqytetasve së Egbosë. Teuta duket se ia ka marrë dorën kësaj Tirane, madje e dëshmon një gjë të tillë edhe me 10 lojtarë në fushë. /Sport Ekspres/