Katër gola të shënuar deri tani në 13 ndeshje të aktivizuara si zëvendësues në kampionatin slloven janë një bilanc shumë pozitiv për shkodranin e talentuar, Rubin Hebaj.
18-vjeçari që vazhdon traditën e familjes si djali i ish-futbollistit të Vllaznisë, Ridvan Hebaj, pasi la Vllazninë ku spikati në kampionatin e një sezoni më parë si një golashënues i aftë kuqeblu u pikas nga specialistët e futbollit slloven, të cilët edhe bënë zyrtarisht pjesë të skuadrës sllovene Domzhale.
Në qershor mbushet plot një vit që Hebaj është pjesë e kësaj skuadre, dhe për hir të së vërtetës, sa herë është aktivizuar në fushën e lojës, spikatja e tij ka qenë e dukshme, ku përpos golave të tij, 5 në kampionat, 1 një kupë dhe një tjetër në miqësore, kontributi i tij për skuadrën ka qenë jo i vogël edhe në asistet për gola vendimtarë të Domzhales.
Rrjeta e fundit që Hebaj regjistroi në kampionatin slloven është ajo e ndeshjes në transfertën e tre ditëve më parë ndaj Aluminij.
MERKATO – Falë moshës së tij të re, më 30 korrik ai mbush 19 vjeç, si dhe parametrat fizike dhe teknike që disponon, shtatlartë, shumë i lëvizshëm dhe inteligjent në lëvizjet, me dhe pa top e ka vënë atë në qendër të vëmendjes së specialistëve të futbollit slloven.
Pjesë e këtij vlerësimi është edhe koeficienti shumë pozitiv që Hebaj ka me katër golat e shënuar në ato minuta të pakta që i kanë dhënë në fushën e lojës kanë bërë që ai të cilësohet si futbollisti më me rendiment në kampionatin slloven.
Por kjo nuk mjafton për Hebajn, sepse shkodrani, me oreksin dhe dinamizmin që e shoqëron në këtë moshë kërkon patjetër të ketë minutat e tij në fushën e lojës.
Burime pranë lojtarit bënë me dije se për të po interesohen skuadra me emër në kampionatet e Gjermanisë, Çekisë, Danimarkës, etj.
Ndaj, duke shfrytëzuar edhe një tip ftohje që Hebaj ka me trajnerin në lidhje me mosaktivizimin sa duhet në fushën e lojës, gjasat janë që në sezonin e ardhshëm futbollistik, shkodranin mund ta shikojmë në një skuadër tjetër.
Rastin në fjalë po përpiqen ta shfrytëzojnë menaxherët e futbollit, të cilët ka kohë që e ndjekin me interes në kampionatin slloven, ku Hebaj është vënë në shënjestër të shumë klubeve.
Falë vlerave që disponon, Hebaj është pjesë edhe e ekipit tonë përfaqësues U-21, emri i të cilit figuron në listën e publikuar nga tekniku kuqezi Alban Bushi për tre ndeshjet miqësore që kombëtarja U-21 do të ketë nga data 24 maj deri me 8 qershor./sport-ekspres/