Sulmuesi i Teutës, Rubin Hebaj, tregon dëshirën e madhe për rinisjen e kampionatit dhe pohon se rifillimi më 3 qershor është një lajm shumë i mirë për të gjithë. Shkodrani shpreson shumë në fitimin e trofeut të Kupës së Shqipërisë me Teutën, si dhe aktivizimin në Kupat e Europës.


Rubin, si ia keni dalë ta mbani trupin në formë gjatë kësaj kohe?

Nuk ka qenë e lehtë për të gjithë ne. Jemi munduar të stërvitemi me aq sa na lejojnë kushtet, për të ruajtur sadopak ritmin. Fusha na mungon shumë.

Është vendosur që kampionati të fillojë më 3 qershor…

Është gjëja më e mirë për ne. Të rikthehemi të luajmë dhe të kapim ritmin e ndeshjeve. Është një lajm që të gjithë e prisnim. Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të nisim sa më parë të stërvitemi në grup. Këtë kohë karantine jemi stërvitur individualisht me programin e trajnerit. Por unë mendoj se kjo nuk vlen shumë, pasi ekipi duhet të mblidhet bashkë në fushë e të bëjë stërvitje tekniko-taktike.

Pse kaq shumë luhatje nga Teuta këtë sezon?

Të gjitha ekipet kanë patur ulje-ngritje gjatë sezonit, por unë mendoj se në tërësi kemi bërë një sezon të mirë dhe jemi brenda objektivave tanë. Ndaj, nëse rifillon kampionati, besoj se do t’ia dalim të sigurojmë një vend për në Kupat e Europës.


Teuta synon Europën në fund të këtij sezoni. Mendoni ta arrini nga Kupa apo kampionati?

Shanset për Europë janë aty, por kemi bërë dy hapa të gabuar në kampionat, që nuk na lejoheshin, ndaj Luftëtarit dhe Flamurtarit. Do dëshiroja ta merrja Kupën me Teutën këtë vit, pasi kampionati më duket shumë i vështirë.

Keni kaluar një dëmtimi që jua ndërpreu vrullin, si ndiheni tani?

E kam nisur mirë karrierën, por një dëmtim që pësova kur shkova në Ukrainë, më ndërpreu gjithc?ka. Tani e kam kaluar dhe jam gati të ndihmoj Teutën dhe shpresoj që në të ardhmen të kaloj sërish jashtë vendit. Kurrë nuk është vonë.

A e keni marrë “pagën e luftës” të akorduar nga FSHF?

Sa i përket “pagës së luftës”, e kemi marrë e duhet të falënderoj FSHF-në, sepse është një gjest për t’u vlerësuar në këto momente.