Sulmuesi shkodran Rubin Hebaj gjen golin edhe në Slloveni. Pasditen e sotme ai ka shënuar të parin gol në këtë kampionat duke luajtur për skuadrën e tij Domzhale. Por jo vetëm kaq. 19 vjeçari ka qenë protagonist edhe tek goli i parë teksa ka dhënë asistin e tij. Hebaj nuk e ka nisur si titullar ndeshjen ndaj Nk Krsko por gjërat për Domzhalen nuk kanë shkuar mirë teksa e ka mbyllur pjesën e parë në disavantazh 0-1.
Për këtë arsye trajneri i saj ka hedhur në fushë sulmuesin e kombëtares U-21 të Shqipërisë. Ai ka dhënë asist për Shirok në ’54 që ka barazuar shifrat ndërsa pesë minuta më vonë ka shënuar vetë duke kaluar në avantazh ekipin e tij. Kur dukej se gjërat po shkonin mirë, Blaziç i Domzhales është ndëshkuar me karton të kuq në ’64 dhe kaq ka mjaftuar që vendasit të shënonin njëri pas tjetrit 3 gola dhe ta fitonin krejt ndeshjen me rezultatin 4-2. Megjithatë për Hebajn e rëndësishme është që gjen rrugën e rrjetës dhe ky gol i parë do ta ndihmojë padiskutim për ecurinë e mëtejshme në këtë kampionat.
© shkodrasport.com