Në tre ditë, dy fitore për kombëtaren U21 të Shqipërisë ndaj Maltes. Dhe protagonisti kryesor i saj edhe në këtë ndeshje të dytë ka qenë sërish sulmuesi shkodran Rubin Hebaj që këtë herë ka shënuar një dygolësh. Ai ka kontribuar kësisoj në fitoren 3-2 të ekipit tonë ne ndeshjen e luajtur ne stadiumin “Loro Boriçi”.
Ndeshja ka nisur mirë për kuqezinjtë tanë të cilët kanë kaluar në avantazh me anë të një goli të bukur të Shefitit por në fundin e pjesë së parë maltezët kanë barazuar.
Në fillimin e së dytës ka qenë sërish Malta që ka kaluar në avantazh por kjo nuk do të zgjaste shumë. Shqipëria U21 do të fitonte të drejtën e një 11-metërshi që u kthye në gol nga Hebaj.
Po ky futbollist në minutën e 88-të do të shënonte edhe golin e tretë dhe të fundit të ndeshjes. Përfundimisht 3-2 për kombëtaren e Alban Bushit dhe kjo falë golave të Hebajt i cili ashtu si dhe në ndeshjen e parë, edhe sonte ishte protagonisti kryesor i këtij suksesi.
© shkodrasport.com