Rubin Hebaj ka arritur të realizojë dy gola ndaj Maltës, në atë fitore që Shqipëria U-21 ka marrë në shifrat 3-2. Fillimisht nga pika e bardhë, e më pas me një parabël tek për tek ndërsa ndodhej me portierin, sulmuesi shkodran ka bërë gjithçka në mënyrën më të mirë, për të shënuar sërish me fanellën e Kombëtares.
E megjithatë, situata në klub ndryshon, pasi te Partizani nuk po i besohen shumë minuta në fushën e lojës.Në një intervistë dhënë për “Supersport”, Hebaj është shprehur se e ka ndierë një paraqitje të tillë në shtëpi, ndërsa ka folur edhe për situatën ku gjendet.
“Sigurisht që ndihem i lumtur, megjithatë më duhet të them se e ndieja që do të bëja një paraqitje të tillë. Unë isha në shtëpinë time, në Shkodër, e prisja që gjërat do të shkonin mirë. Është e vërtetë që jam aktivizuar pak te Partizani, gjithsesi pres që të rikthehet Hebaj i vërtetë, pasi më parë kisha shumë probleme në shënimin e golave.
Tani kjo ka kaluar dhe kërkoj për më të mirën. Djemtë te U-21 e njohin njëri-tjetrin dhe mund të shpresojmë për ndonjë kualifikim të mundshëm, pasi diferencën në futboll po e bëjnë vetëm detajet”, u shpreh Hebaj.