Rubin Hebaj ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me klubin Andijan në Uzbekistan dhe në mars nis zyrtarisht aventurën e tij në Azi. Sulmuesi shqiptar ka folur më gjatë rreth këtij transferimi në një intervistë për emisionin “Sport Magazine“, që prezantohet nga Drilon Xhepollari dhe transmetohet në “Ora News“. Hebaj tregon se oferta ishte tunduese dhe ndjen se ka bërë zgjedhjen e duhur. 24-vjeçari është i pari shqiptar që luan në Uzbekistan, ku besojnë shumë te golat e tij.
“Ishte një operacion i ditëve të fundit. Një ofertë që ma bënë ditët e fundit dhe mendoj se ia vlejti pritja, që të hap edhe unë një derë të re në karrierën time në kontinentin aziatik. Mendoj që ishte zgjedhja e duhur për momentin. Oferta ishte e mirë dhe përse të mos e pranoja.
Ndihem mirë. Kam luajtur gati 90% të minutave që kanë qenë të disponueshme gjatë gjithë vitit që kur kam ardhur këtu. Edhe statistikat i kam pasur në favorin tim, sepse në 6 muajt e parë shënova shumë gola. Besoj se ky është një favor që ekipi në Uzbekistan më bëri një ofertë kaq të mirë. Shifrat që ofruan? Le të mos flasim për shifrat (qesh).
Edhe në Superiore, dhe kudo ku kam luajtur ka pasur lojtarë shumë të mirë. Me sa mbaj mend unë, përveç ndeshjeve me Kombëtaret e moshave, një ndër ndeshjet më të vështira për mua ka qenë kundër Shahtjorit të Donjeskut me Vorsklën. Ishte një ekip shumë i kompletuar dhe nuk mund të veçoj një. Ishin të gjithë që mund t’i veçoja. Ishte një nivel shumë i lartë. Shpresoj të arrij edhe unë ato nivele.
Kam kontaktuar me Bitrin, me Imerin që ka qenë te Vllaznia dhe është për momentin në Kazakistan. Është pak a shumë e njëjta frymë. Me sa më treguan ata të ekipit, jam i pari lojtar shqiptar që luan në Uzbekistan”, ka deklaruar Rubin Hebaj./Sport Ekspres/