Rubin Hebaj nuk e ka vendosur ende se ku do të luajë në sezonin 2019-2020. Pasi u largua nga Partizani, sulmuesi shkodran prishi edhe kontratën me klubin slloven, Domzhale, e cila i skadonte në verën e vitit tjetër. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, 20-vjeçari tregoi situatën e tij, prapaskenat me Partizanin, rikthimin e mundshëm në Shkodër dhe garancinë që kërkon nga ekipi ku do të vazhdojë karrierën. Më shumë se kurrë, Hebaj do që të luajë në një ekip, i cili i garanton aktivizimin. Ai prej kohësh ndodhet në Shkodër dhe po stërvitet individualisht pas dëmtimit që pësoi në fundin e sezonit të kaluar.

Pas një sezoni me Partizanin, u larguat nga kjo skuadër dhe më pas prishët kontratën edhe me Domzhalen…

Mendoj se kam kaluar një sezon relativisht të mirë te Partizani, pavarësisht se kërkova që të kisha më shumë minuta loje. Në momentin tim më të mirë pësova atë dëmtim që më la pastaj jashtë fushave për një kohë të gjatë. Pas largimit nga Partizani, duhet të kthehesha në ekipin ku isha nën kontratë, Domzhale. Biseduam dhe arritëm të prishnim marrëveshjen me konsensus.

Çfarë ndodhi më pas…?

Pasi mbylla gjithçka me Domzhalen, më kërkoi sërish Partizani. Mirëpo, e lashë gjithçka pezull, pasi kërkoj që të jem në një skuadër ku të kem më shumë minuta. Preferova që momentalisht të mos bëja si zgjidhje të menjëhershme Partizanin, pasi nuk dua të nxitohem.

Po diskutohet edhe Vllaznia si opsion, keni folur me drejtuesit?

Momentalisht, edhe tani që po flasim, nuk kam gjëra konkrete me Vllazninë. Nuk jemi ulur ende për të diskutuar. Mendoj se kam kohë për të vendosur për këtë gjë. Normalisht që nuk e fsheh dëshirën që kam për të luajtur për këtë fanellë, por do t’ia lëmë kohës.

Çfarë prisni?

Menaxheri im po punon edhe për klubet e huaja. Është në bisedime me disa ekipe jashtë Shqipërisë. Ndoshta shumë shpejt mund të kemi edhe gjëra konkrete.

Preferoni anën financiare për të përzgjedhur ekipin e ri apo doni garanci për t’u aktivizuar?

Të jem i sinqertë, do të preferoj një ekip ku ka lojtarë me cilësi dhe për më tepër unë të kem gjithë kohën e duhur për t’u aktivizuar. Kërkoj që të luaj sa më shumë, kjo është e gjitha.

Te Vllaznia mund ta keni një gjë të tillë…?

E thashë, nuk kam vendosur ende dhe do të shikoj të gjitha mundësitë. Pastaj, te Vllaznia duhet pritur si do të shkojë situata.

E keni kaluar tashmë dëmtimin?

Pas konsultës së fundit që kam bërë, gjithçka është në rregull. Tani po stërvitem individualisht për të arritur formën e duhur.