Në merkaton verore të këtij sezoni bëri një transferim surprizë duke kaluar tek Sfaksien në kampionatin e Tunizisë. Fjala është për Rubin Hebajn, sulmuesin shkodran, që në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur për këtë aventurë.

Shtatlarti ka prekur edhe kampionatin shqiptar e po ashtu Vllazninë në veçanti. Gjithashtu, si një “ish” i dy skuadrave ai ndan edhe një mendim për ndeshjen e javës së 10-të mes Vllaznisë dhe Partizanit.


Vllaznia pësoi një humbje në ndeshjen e fundit kundër Laçit. Mund të ndikojë kjo në ecurinë e kuqebluve?

Mungesat që kishte ekipi ndikuan besoj në rezultatin përfundimtar. Por Vllaznia nëse kërkon të dalë kampion duhet të fillojë me të vërtetë ta besojë se mund ta arrijë këtë objektiv. Vetëm ashtu mund të kalojë çdo kundërshtar, me apo pa mungesa, sepse shoh një skuadër me cilësi që di të luajë futboll e të marrë fitore.

Këtë fundjavë luhet Vllaznia-Partizani. Si e parashikoni?

Do të jetë një ndeshje e fortë, me dy ekipe që kanë pretendime madhore. Kam luajtur me të dyja skuadrat, Vllaznia është skuadra ime e zemrës dhe te Partizani u shpalla kampion i vendit. Kam besimin se me kthimin e Balajt, arrijmë te fitorja.