Nga Maringlen ZHIVANI

Ish- kapiteni i kombëtares shqiptare Rudi Vata ka qenë i ftuar mbrëmjen e së hënës në “Star Sport” ku ndër të tjera ka folur edhe për Vllazninë. Lojtari që ka provuar ta veshë fanellën e kësaj skuadre, por edhe ta drejtojë nga pankina, është ndalur edhe tek ndeshja e fundit ndaj Partizanit, por njëkohësisht ka folur edhe për vazhdimin e kampionatit duke dhënë edhe mendimin e tij se çfarë i duhet të rregullojë që ajo ta arrijë objektivin e saj.

“Nuk mendoj se Vllaznia ishte dominante ndaj Partizanit. Në disa momente të lojës, Vllaznia ishte inekzistente në fushë. Pashë që diçka nuk shkonte me energjinë e skuadrës. Partizani dominoi edhe në mbajtjen e topit dhe në daljet në sulm. Nuk arrita ta kuptoj se si një kundërshtar direkt i Vllaznisë, siç ishte Partizani, vjen dhe dominon në Shkodër me aq lehtësi. Vllaznia duhet të shfaqë gjithmonë cilësitë e saj që i ka brenda.

Në pjesën e dytë, edhe me aktivizimin e Malës, Vllaznia mori një ritëm tjetër, ishte më guximtare, më kërkuese, shënoi golin e dytë dhe kishte mundësi për ta vrarë ndeshjen. Nuk arriti ta bënte diçka të tillë. Vllaznia u tërhoq, pasi u frikësua. I dha shumë hapësirë Partizanit. Mba ishte shumë i rrezikshëm për mbrojtjen e Vllaznisë. Unë mendoj që në mbrojtje Vllaznia u tregua e brishtë dhe në fillim të lojës duhet të ishin më guximtarë. Në përgjithësi, mund të them që ishte një ndeshje me raste dhe barazimi ishte rezultat i drejtë. Me sa kuptova unë, të dy skuadrat ishin të kënaqura me atë që morën nga kjo ndeshje.

Vllaznia pëson shumë gola, ka probleme me mbrojtjen. 12 gola të pësuar në 10 javë kampionat për një skuadër që pretendon të dalë kampione, janë shumë. Skuadra në mbrojtje ka probleme. Për të dalë kampion Shqipërie, duhet të jesh skuadër dominante dhe absolute. Për t’u bërë e tillë, ka shumë punë dhe ka shumë gjëra për të rregulluar.

Skuadra i ka kualitetet, ka cilësi të mjaftueshme, por Vllaznia nuk është ende aty ku duhet të jetë për të qenë fitimtare. Unë mendoj se kampionati shqiptar është i balancuar. Të gjitha skuadrat kanë të njëjtat probleme dhe në përgjithësi, të gjitha klubet shqiptare kanë qenë shumë defekte. Shumë pak klube nuk kanë probleme financiare. Në përgjithësi kanë probleme me infrastrukturën dhe me financat. Sigurisht, kur ke probleme të tilla prishen edhe balancat.

Kur balancat prishen, ke për të patur gjithmonë zhgënjime. Unë mendoj se Vllaznia nuk është ende një klub i mirë-organizuar për të fituar titullin kampion. Qyteti dhe shkodranët presin, pasi ka 23-vite pa ardhur titulli kampion në Shkodër, por unë mendoj se me këtë sistem loje dhe me ndeshjet që po bëjmë, shto këtu edhe kundërshtarët që janë të fortë edhe politikisht, mendoj që nuk kemi për të pasur mundësi për të dalë kampion.

Sigurisht, katërshja është e mundshme, sepse Vllaznia e ka ekipin për të hyrë në katërshe, por për titullin kampion duhet shumë punë, shumë seriozitet, shumë luftë deri në fundin e kampionatit dhe klubi duhet të jetë i përgatitur për çdo betejë. Do jetë kampionat i vështirë, gjithsesi mundësitë janë, sepse grupi është. Duhet një lloj energjie e re që skuadra të rikthehet në një ritëm tjetër. Kjo vjen nëpërmjet punës. Sigurisht, ato futbollistë që përfaqësojnë Vllazninë, duhet të kenë një angazhim të madh për qytetin dhe fanellën”,-tha Rudi Vata në “Star Sport”.